KF Drini i Bardhë po kalon një periudhë shumë pozitive në Ligën e Dytë të Kosovës, ku pas 13 xhirove renditet në pozitën e tretë me 31 pikë, aq sa kanë edhe Sharri dhe Fushë Kosova.

Skuadra ka regjistruar dhjetë fitore, një barazim dhe dy humbje, duke mbetur gjashtë pikë prapa liderit Ulpiana. Drini vjen pas fitores 2-0 ndaj Sharrit në xhiron e fundit, rezultat që konfirmon formën e mirë të ekipit të drejtuar nga Robert Gjeraj.


Në krye të ekipit është Robert Gjeraj, emër i njohur i futbollit kosovar, i cili në të kaluarën ka qenë futbollist dhe kapiten i Lirisë së Prizrenit.

Pas përfundimit të karrierës si futbollist aktiv, Gjeraj ka nisur një kapitull të ri në futboll, këtë herë në rolin e trajnerit, ku po mundohet të bartë përvojën e fituar në fushë te futbollistët e tij.

Në një intervistë për Telegrafin, Gjeraj ka folur për ecurinë e Drinit të Bardhë, faktorët që kanë ndikuar në rezultatet pozitive, konkurrencën në Ligën e Dytë dhe objektivat e klubit për vazhdimin e kampionatit.

Trajneri është shprehur jashtëzakonisht i kënaqur me paraqitjet e skuadrës, duke vlerësuar veçanërisht karakterin dhe disiplinën që futbollistët kanë treguar në momente të rëndësishme.

“Ecurinë e Drinit e vlerësoj shumë. Duke qenë se jemi në një pozitë të mirë në tabelë, jam jashtëzakonisht i kënaqur me ekipin, sepse në momente të caktuara kanë treguar karakter dhe shumë disiplinë. Besoj se në vazhdim do të performojmë edhe më mirë”, ka thënë fillimisht Gjeraj.

Ai ka theksuar se merita kryesore për sukseset e deritanishme u takon futbollistëve, për punën dhe angazhimin e treguar, por nuk ka lënë pa përmendur as mbështetjen e drejtuesve të klubit, donatorëve dhe tifozëve.

Sipas tij, kontributi i njerëzve që e mbështesin klubin, si nga rajoni i Hasit ashtu edhe më gjerë, ka qenë i rëndësishëm në krijimin e kushteve për rezultate pozitive.

“Faktorët kryesorë për rezultatet dhe sukseset deri tani janë merita e lojtarëve, për punën dhe angazhimin që kanë bërë. Natyrisht, duhet falënderuar edhe kryesia e klubit dhe të gjithë donatorët që japin kontribut, nga rajoni i Hasit dhe më gjerë, pa harruar përkrahjen e publikut që na qëndron pranë në çdo ndeshje”, ka thënë ai.

Duke folur për nivelin e Ligës së Dytë, Gjeraj mendon se kjo garë ka shënuar përparim si në cilësi, ashtu edhe në organizim. Ai ka vlerësuar se ardhja e futbollistëve të rinj nga ekipet U21 ka ndikuar në rritjen e konkurrencës, ndërsa ka përmendur edhe skuadrat që i sheh si pretendente për kreun e tabelës.

“Liga e Dytë ka pasur rritje të cilësisë dhe organizimit. Është shumë e vështirë, sepse ka ekipe me futbollistë cilësorë dhe të rinj që kanë ardhur nga U21, duke krijuar një konkurrencë të fortë. Skuadrat që i shoh si pretendente për titull janë Ulpiana, Sharri, Fushë Kosova dhe Besa e Artë, pa harruar edhe KEK-un, që me privatizimin e klubit mund të konkurrojë për kreun e tabelës”, ka deklaruar trajneri.

Sa i përket objektivave të Drinit të Bardhë, Gjeraj nuk e fsheh ambicien për të siguruar një vend në Ligën e Parë.

Ai e konsideron pozicionimin aktual në pjesën e sipërme të tabelës si sukses të rëndësishëm, sidomos duke pasur parasysh se klubi është vetëm në sezonin e dytë në këtë nivel të garave.

“Normalisht, pjesa e epërme e tabelës është sukses për ne, pasi jemi klub i ri në Ligën e Dytë dhe ky është vetëm viti ynë i dytë në këtë ligë. Kemi të bëjmë me ekipe që kanë qenë pjesë e Superligës dhe konkurrenca është e vështirë. Ne do të mundohemi që me angazhim, punë, disiplinë dhe përkrahjen e tifozëve, donatorëve e të gjithëve pa dallim, ta plotësojmë ëndrrën dhe të futemi në Ligën e Parë”, është shprehur Gjeraj.

Në fund, trajneri ka folur edhe për kalimin nga futbollisti aktiv në rolin e trajnerit, duke e cilësuar këtë si një prej sfidave më të mëdha personale.

Ai ka treguar se edhe pas tri vitesh larg fushës si futbollist, në momente të caktuara ende e sheh lojën nga këndvështrimi i një lojtari.

Megjithatë, cilësia e futbollistëve që ka në dispozicion dhe dashuria për futbollin ia kanë lehtësuar këtë proces.

“Ky është momenti më i vështirë, sepse tashmë janë bërë tri vite që jam larguar si futbollist aktiv dhe përshtatja është shumë e vështirë. Në momente të caktuara ende mendoj si futbollist, por për fat të mirë kam futbollistë të shkëlqyeshëm në ekip dhe ma bëjnë punën më të lehtë”.

“Sinqeriteti dhe dashuria që kam për futbollin ma kanë lehtësuar punën si trajner deri tani, por për vazhdim nuk i dihet, sepse trajnerin e mbajnë rezultatet dhe duhet të vazhdojmë me rezultate”, ka përfunduar Gjeraj. /Telegrafi/