Tragjedi në New York, flakët përfshijnë pallatin në Brooklyn, 6 të vdekur dhe 9 të plagosur

Një zjarr i përmasave të mëdha ka shkaktuar tragjedi në Brooklyn të New York, ku gjashtë persona kanë humbur jetën dhe nëntë të tjerë janë plagosur. Flakët përfshinë një ndërtesë banimi në orët e para të mëngjesit të së enjtes, pranë zonës së Sunset Park.
Sipas Departamentit të Zjarrfikësve të New Yorkt (FDNY), njoftimi i parë për zjarrin mbërriti rreth orës 01:40 me orën lokale. Në vendngjarje u mobilizuan më shumë se 230 zjarrfikës dhe punonjës të emergjencave, ndërsa flakët kishin përfshirë dy katet e para të ndërtesës.
Gjatë operacionit, katër persona u gjetën të pajetë brenda godinës, ndërsa dy të tjerë u nxorën në gjendje kritike dhe ndërruan jetë më vonë. Nga nëntë të plagosurit, gjashtë janë qytetarë, dy prej të cilëve ndodhen në gjendje kritike, ndërsa tre të tjerët janë zjarrfikës që morën pjesë në ndërhyrje.
Në vendngjarje u thirr edhe një ekip i specializuar për trajtimin e materialeve të rrezikshme, pasi në ndërtesë u konstatua prania e një baterie me jone litiumi. Megjithatë, autoritetet nuk kanë konfirmuar ende nëse bateria ka lidhje me shpërthimin apo përhapjen e zjarrit.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar shkakun e saktë të kësaj tragjedie.




