Izraeli fton talentin e Barcelonës ndaj Kosovës, por jashtë mbeten dy emra të mëdhenj
Izraeli do të përballet me Kosovën në Prishtinë me një talent të ri të Barcelonës në përbërje, por edhe me disa mungesa të rëndësishme në skuadër.
Përzgjedhësi Ran Ben Shimon ka publikuar të enjten listën e futbollistëve të ftuar për dy ndeshjet e fundit të Grupit B3 në Ligën e Kombeve, ku Izraeli do të luajë fillimisht ndaj Kosovës, më 14 nëntor, e më pas kundër Austrisë.
Vëmendjen në listën e izraelitëve e tërheq emri i Orian Gorenit, talentit 17-vjeçar të Barcelonës, i cili për herë të parë është ftuar nga përfaqësuesja A e Izraelit.
Goren së fundmi ishte pjesë e skuadrës së Barcelonës në El Clasico ndaj Real Madridit, ku qëndroi në bankën rezervë.
Për shërbimet e tij kishte shfaqur interesim edhe Çekia, por talenti i ri ka vendosur ta përfaqësojë Izraelin, fanellën e të cilit e ka bartur në të gjitha grupmoshat.
Megjithatë, përzgjedhësi Ben Shimon do të ketë edhe disa probleme në prag të këtyre dy përballjeve.

Sipas raportimeve të mediumeve izraelite, përfaqësuesja nuk do të mund të llogarisë në disa futbollistë të rëndësishëm.
Mediumi Sport5 ka raportuar se Eliel Peretz dhe Tai Baribo do të jenë ndër mungesat kryesore të Izraelit për ndeshjet e fundit të këtij edicioni të Ligës së Kombeve.
Izraeli aktualisht renditet në vendin e fundit të Grupit B3 me vetëm dy pikë, ndërsa Austria kryeson me tetë pikë. Kosova dhe Irlanda kanë nga pesë pikë secila./Telegrafi/

































