Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë, duke u ndalur te çështja e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe refuzimi i Kuvendit për të miratuar kërkesën e SPAK për heqjen e tij.
Gjatë deklaratës së tij, Berisha e cilësoi Ballukun si një “mur të pakalueshëm” në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se po pengon drejtësinë për të mbrojtur bashkëpunëtorët e tij.
“Komisioni thotë se pas një vonese të gjatë, Parlamenti votoi kundër kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të një deputeteje, Lubi Ballukut është fjala. Kjo ngre shqetësime për kontrollin e ndërsjellë mes pushteteve dhe për barazinë para ligjit”, deklaroi Berisha.
Më tej, kreu i PD-së u shpreh se Balluku përbën pengesë për integrimin europian të vendit.
“Në rrugën drejt BE-së, drejt asaj të ardhmeje që ka qenë dhe është ëndrra më e bukur e shqiptarëve, mur i pakalueshëm bëhet hajdutja më e madhe në historinë e këtij kombi, pas Edi Ramës, Lubi Balluku”, tha ai.
Ai ngriti po ashtu shqetësime që lidhen me funksionimin e Kuvendit, duke përmendur mungesën e konsultimeve publike, refuzimin e kërkesave të opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore dhe mosparaqitjen e rregullt të ministrave për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve.
Ai akuzoi mazhorancën se po pengon kontrollin parlamentar dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.













