Tre akte të miratuara nga qeveria më 28 tetor kanë përfunduar në Gjykatën Kushtetuese, pas kundërshtimit të studentëve protestues, të cilët pretendojnë se masat e reja kufizojnë lirinë e shprehjes dhe të drejtën për të protestuar. Përfaqësues të grupimeve “Studentët n’ Protestë” dhe “Revolucioni Studentor” kanë dorëzuar sot tre ankime në Kushtetuese, në bashkëpunim me katër organizata të shoqërisë civile: Qendrën Res Publica, Komitetin Shqiptar të Helsinkit, Shoqatën Ornitologjike të Shqipërisë dhe EcoAlbania.
Në qendër të kundërshtimit janë Akti Normativ nr. 5/2026, Akti Normativ nr. 6/2026 dhe VKM-ja nr. 815/2026. Sipas studentëve, Akti Normativ nr. 5 i jep policisë kompetenca të gjera për të ndërhyrë në organizimin e protestave, përfshirë ndalimin ose kufizimin e tubimeve pranë institucioneve, largimin e qytetarëve nga zonat e mbrojtura dhe kërkesën për fshirjen e postimeve në rrjetet sociale. Për shkeljet e parashikuara në këtë akt mund të vendosen gjoba deri në 500 mijë lekë.
Akti Normativ nr. 6 kundërshtohet për shkak të përgjegjësisë solidare që u ngarkon organizatorëve të protestave për dëmet e shkaktuara edhe nga persona të tjerë. Studentët ngrenë gjithashtu shqetësimin për vendosjen e gjobave për veprime të kryera përpara hyrjes në fuqi të këtyre sanksioneve. Një tjetër pikë e kundërshtimit është VKM-ja nr. 815, përmes së cilës parashikohet krijimi i një regjistri policor në prokurori. Sipas protestuesve, ky mekanizëm mund të sjellë kufizime të lëvizjes jashtë vendit pa një vendim gjykate, njoftimin e shtetit ku udhëton personi dhe madje informimin e hoteleve nga policia.
Studentët i konsiderojnë këto masa si një ndërhyrje që shkon përtej rregullimit të rendit publik dhe prek drejtpërdrejt të drejtat themelore të qytetarëve. “Këto akte synojnë të ngushtojnë hapësirën e fundit demokratike që na ka mbetur: të drejtën për të protestuar, për të kundërshtuar padrejtësinë dhe për të ngritur zërin”, thuhet në deklaratën e tyre.
Për këtë arsye, ata i kanë kërkuar Gjykatës Kushtetuese që t’i marrë në shqyrtim ankimet me përparësi dhe të pezullojë zbatimin e dispozitave të kundërshtuara deri në dhënien e një vendimi përfundimtar. Protestuesit kanë parashikuar gjithashtu mundësinë që aktet normative të miratohen edhe nga Kuvendi, duke i kërkuar Gjykatës që kontrolli kushtetues të shtrihet edhe mbi ligjet përkatëse miratuese.
Në fund të deklaratës, studentët përcjellin një mesazh të fortë kundër asaj që e konsiderojnë klimë frikësimi ndaj qytetarëve që kundërshtojnë pushtetin. Ata shprehen se nuk duan të jetojnë në një realitet ku protesta shihet si shkelje dhe kundërshtimi i qeverisë si faj. “Një brez i tërë të rinjsh po e nis jetën përballë një shteti që, në vend që t’u garantojë hapësirë për debat, kundërshtim e pjesëmarrje demokratike, u përgjigjet me dhunë e frikë. Nuk duam të rritemi duke mësuar se të kundërshtosh pushtetin është faj dhe se pjesëmarrja në protestë është arsye për t’u trajtuar si armik”, përfundojnë studentët në deklaratën e tyre.
