Zbardhen detaje nga vendimi i Gjykatës së Posaçme për ish-drejtoreshën e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, ndaj së cilës është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, nën dyshimin se i ka ofruar ndihmë biznesmenit Ergys Agasi gjatë kohës që ai ishte në arrati.
Sipas dokumentit gjyqësor, të publikuar nga BalkanWeb, në dosje janë përfshirë edhe komunikime telefonike të Agasit me dy shtetas izraelitë, Shalev I. dhe Srulik E.K., ku biznesmeni u referohet njohjeve të tij me ish-drejtuesen e shërbimit sekret shqiptar dhe ndërhyrjeve që ajo mund të kryente.
Në një prej mesazheve drejtuar Shalev I., Agasi shkruan: “E kam shoqe të ngushtë shefen e shërbimit sekret”.
Ndërsa në një komunikim me shtetasin tjetër, Srulik E.K., ai pretendon se Hyseni do të takohej me një person dhe do t’i paraqiste prova kundër prokurorit.
“Jemi me fat që këtu e kanë kapur vetë amerikanët dhe e dinë sjelljen e tij dhe diçka tjetër, drejtoresha e Shërbimit Sekret do të takohet vetë me të dhe do t’i flasë për këtë punë, duke i sjellë prova që prokurori e ka bërë këtë për interesa të tjera”, thuhet në mesazhin e Agasit.
Në vendimin e GJKKO-së, këto komunikime vlerësohen si tregues të ekzistencës së një rrjeti ndërkombëtar që, sipas gjykatës, mund të shërbente për interesat e grupit kriminal.
“Komunikimet e ndërmjetësuara nga Agasi me shtetasit me pseudonimet Shalev I. dhe Srulik E., të cilët përmenden në lidhje me çështje që kanë të bëjnë me drejtuesen e Shërbimit Sekret, tregojnë arsyeshëm praninë e një rrjeti ndërkombëtar në funksion të interesave të grupit kriminal”, thuhet në vendim.
Sipas gjykatës, ky rrjet shtonte rrezikun që Hyseni, nëse do të qëndronte në gjendje të lirë, të kishte akses në kanale largimi apo fshehjeje jashtë kontrollit efektiv të organeve proceduese.
Këto komunikime i shtohen materialeve të tjera të dosjes së SPAK, ku më herët janë zbardhur edhe bisedat mes Agasit dhe Vlorës Hysenit. Në to, sipas hetimeve, të dy diskutonin për persona që, sipas tyre, u donin të keqen dhe po i sulmonin, ndërsa Hyseni e informonte biznesmenin edhe për zhvillime dhe lëvizje të mundshme në politikë.
Në kuadër të këtij hetimi, SPAK kërkoi dhe mori ndaj Hysenit masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, si dhe pezullimin nga detyra. Akuzat dhe dyshimet ndaj saj janë pjesë e hetimit penal në vijim.





