Hoxha: Nuk po kërkojmë imunitet për askënd, por respektim të standardeve të drejtësisë në Hagë

Përfaqësuesja e Platformës Qytetare “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha, ka bërë të ditur se kjo platformë i është drejtuar institucioneve të Bashkimit Evropian me një kërkesë për shqyrtimin e shqetësimeve lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut dhe standardeve të drejtësisë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Hoxha ka njoftuar se kërkesa u është drejtuar Parlamentit Evropian, Komisionit për Punë të Jashtme, Nënkomisionit për të Drejtat e Njeriut, Komisionit Evropian dhe Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm.

Ajo ka theksuar se kjo nismë nuk është kundër drejtësisë, por synon garantimin e saj.

DOKUMENT/Platforma “Liria ka Emër” i drejtohet deputetëve të Parlamentit Evropian, kërkon shqyrtimin e shqetësimeve për Specialen

“Ne po i drejtohemi Parlamentit Evropian, Komisionit për Punë të Jashtme, Nënkomisionit për të Drejtat e Njeriut, Komisionit Evropian dhe Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm, me një kërkesë të qartë: të shqyrtojnë seriozisht shqetësimet për respektimin e të drejtave të njeriut dhe standardeve të drejtësisë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë”, ka deklaruar Hoxha.

Ajo ka rikujtuar historinë e Kosovës dhe rrethanat në të cilat, sipas saj, lindi Ushtria Çlirimtare e Kosovës, duke theksuar se populli shqiptar u përball me shtypje, dëbime masive dhe masakra gjatë luftës.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi në ato rrethana, si një forcë që luftoi për çlirimin dhe mbijetesën e popullit tonë”, ka thënë ajo.

Hoxha ka përmendur edhe mekanizmat ndërkombëtarë të drejtësisë që kanë vepruar në Kosovë pas luftës, përfshirë UNMIK-un, Tribunalin e Hagës, EULEX-in dhe Dhomat e Specializuara.

Sipas saj, për më shumë se dy dekada, udhëheqësit dhe pjesëtarët e UÇK-së janë përballur me hetime dhe procese të ndryshme gjyqësore.

Duke kritikuar vazhdimësinë e këtyre proceseve, ajo ka ngritur një pyetje për numrin dhe shtrirjen e mekanizmave ndërkombëtarë që janë marrë me UÇK-në.

“Çfarë ushtrie ka pasur Kosova? Ushtrinë e Kinës? Sepse, kur shohim gjithë këta mekanizma ndërkombëtarë, gjithë këto hetime dhe gjithë këtë vazhdimësi procesesh, krijohet përshtypja sikur po flasim për një nga ushtritë më të mëdha të botës, e jo për një forcë çlirimtare të një populli të vogël që luftonte për mbijetesë”, ka deklaruar Hoxha.

Ajo ka theksuar se platforma nuk kërkon që askush të përjashtohet nga përgjegjësia penale, por kërkon që proceset gjyqësore të zhvillohen në përputhje me standardet e drejtësisë.

“Ne nuk po themi se askush nuk duhet të hetohet. Ne nuk po kërkojmë imunitet për askënd. Por po pyesim: kur përfundon drejtësia individuale dhe kur fillon perceptimi i një procesi të pafundmë të vënies në dyshim të një lufte çlirimtare?”, ka përfunduar Hoxha.

Gjashtë kërkesat e “Liria ka Emër” për Parlamentin Evropian

1. Organizimin e një dëgjimi të posaçëm parlamentar për shqetësimet e identifikuara në raportin e Komitetit për të Drejtat e Njeriut të Odës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit (BHRC), si dhe çështjet e tjera që lidhen me të drejtat themelore në Dhomat e Specializuara.

2. Kërkimin e një vlerësimi të pavarur ndërkombëtar për praktikën institucionale dhe respektimin e standardeve të të drejtave të njeriut.

3. Nxitjen e Komisionit Evropian dhe Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS) për përgatitjen e një raporti të posaçëm mbi transparencën dhe përgjegjësinë institucionale të Dhomave të Specializuara.

4. Shqyrtimin e mekanizmave të financimit dhe mbikëqyrjes ndërkombëtare, duke kërkuar transparencë dhe llogaridhënie nga shtetet kontribuuese dhe institucionet përkatëse.

5. Shqyrtimin e mundësisë së një nisme parlamentare përmes rezolutës, rekomandimit apo instrumenteve të tjera, me qëllim forcimin e mekanizmave të pavarur të monitorimit.

6. Mundësimin e një takimi me përfaqësuesit e Platformës Qytetare “Liria ka Emër”, për prezantimin e shqetësimeve, dokumentacionit dhe propozimeve për veprim institucional.

Shija e redaktorit

Nufi: Shqipëria do ta mbrojë Kosovën, asnjë qeveri në Tiranë...

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, ka deklaruar se angazhimi i Shqipërisë për mbrojtjen e Kosovës është i pakushtëzuar, duke theksuar se asnjë...

Përkujtohet ditëlindja e heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti

Sot shënohet 64-vjetori i lindjes së komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti. Ai u lind më 1 nëntor 1962...

DUKAGJINI fiton për herë të dytë mbështetjen e EVROPËS KREATIVE...

SHTËPIA BOTUESE “DUKAGJINI” ka fituar për herë të dytë mbështetjen e programit “Evropa Kreative” të BASHKIMIT EVROPIAN për botimin e letërsisë evropiane. Ky vlerësim...

Të fundit nga rubrika