
Me një procesion nga Katedralja e Shën Shtjefnit drejt varrezave katolike të Rrmajit, Kisha Katolike në Shkodër përkujtoi 10-vjetorin e lumturimit të 38 martirëve shqiptarë. Besimtarë të shumtë u bashkuan në këtë marshim për të nderuar kujtimin e atyre që sakrifikuan jetën për besimin, gjatë persekutimit komunist. Në përfundim të procesionit, në varrezat e Rrmajit, ku më 4 nëntor 1990 Dom Simon Jubani kremtoi meshën e parë publike pas 23 vitesh ndalim të fesë, u mbajt një moment përkujtimor dhe lutjeje. Kjo ngjarje historike shënoi rikthimin e praktikimit publik të fesë në Shqipëri.
Kryeipeshkvi i Shkodrës, Imzot Giovanni Peragine, në mesazhin e tij drejtuar besimtarëve, theksoi se dëshmia e martirëve duhet të shërbejë si frymëzim për jetën e Kishës sot. “Ne duhet të angazhohemi që Kisha jonë të jetë e bukur dhe e nderuar. Jemi ne ata që do ta shenjtërojmë Kishën tonë me sjelljen tonë”, u shpreh Peragine, duke shtuar se “gjaku i martirëve është fara për një krishterim të ri”. Ai nënvizoi se Kisha që jeton sot është pikërisht ajo për të cilën martirët ëndërruan, shërbyen dhe dhanë jetën e tyre. Dhjetë vite më parë, më 5 nëntor 2016, në sheshin e Katedrales së Shën Shtjefnit në Shkodër, u zhvillua ceremonia e lumturimit të 38 martirëve shqiptarë, mes të cilëve edhe kryeipeshkvi Vincens Prenushi.
Në këtë përvjetor, Peragine i ftoi besimtarët të reflektojnë mbi përgjegjësinë e tyre si të krishterë dhe dëshminë që duhet të japin në shoqëri. “Jemi të ftuar të mendojmë për pagëzimin tonë për përgjegjësinë që secili prej nesh ka për të dëshmuar Krishtin dhe për të shpallur bukurinë e jetës së krishterë”, theksoi kryeipeshkvi. Procesioni drejt Rrmajit u kthye kështu në një homazh për 38 martirët, por edhe në një kujtesë të qëndresës së besimit përballë përndjekjes dhe sakrificës së klerit e besimtarëve katolikë gjatë diktaturës komuniste.
