Shqipëria në aksion për dy yjet e rinj, delegacioni i FSHF-së i vëzhgon nga afër

Federata Shqiptare e Futbollit duket se ka nisur lëvizjet për të afruar dy futbollistë të rinj me origjinë shqiptare, të cilët aktualisht përfaqësojnë Zvicrën U21.
Sipas raportimit të medias zvicerane “Blick”, një delegacion i FSHF-së ka qenë i pranishëm në stadiumin “Letzigrund” në Cyrih, për të ndjekur nga afër përballjen mes Grasshoppers dhe Vaduzit, e përfunduar në barazim 2-2.
Vëmendja e përfaqësuesve shqiptarë ishte përqendruar te dy emra: Samuel Krasniqi dhe Lutfi Dalipi.
Krasniqi, 21 vjeç, aktivizohet me Grasshoppersin, ndërsa Dalipi, 20 vjeç, është pjesë e Vaduzit dhe po kalon një sezon shumë pozitiv, duke tërhequr vëmendjen në futbollin zviceran.
Interesimi për Dalipin është veçanërisht i madh, pasi mesfushori po spikat me paraqitjet e tij dhe ka regjistruar statistika mbresëlënëse këtë sezon. Sipas të dhënave të raportuara, ai ka realizuar 5 gola dhe ka dhënë 9 asistime në 12 ndeshje.
Prania e delegacionit shqiptar nuk ka kaluar pa u vënë re në Zvicër, duke rikthyer në vëmendje garën për talentet me origjinë shqiptare që kanë mundësi të zgjedhin përfaqësuesen e tyre në të ardhmen.
Megjithatë, deri më tani, as Krasniqi dhe as Dalipi nuk kanë marrë një vendim përfundimtar. Përveç Zvicrës dhe Shqipërisë, të dy mund të përfaqësojnë edhe Kosovën.
Nëse FSHF arrin t’i bindë këta dy futbollistë të zgjedhin fanellën kuqezi, Kombëtarja mund të përfitojë dy alternativa të rëndësishme për të ardhmen.




