Tronditet Gjermania, ministri i Ekonomisë gjendet i vdekur në dhomën e hotelit në Berlin

Zëvendëskryeministri i Bavarisë dhe ministri i Ekonomisë, Hubert Aiwanger, i cili ishte edhe lider i partisë Freie Wähler (Votuesit e Lirë), u gjet pa shenja jete në një hotel në Berlin, ku po qëndronte për një vizitë. Ai vdiq në moshën 55-vjeçare, ndërsa prokuroria ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të vdekjes. Kryeministri i Bavarisë, Markus Söder, e përshkroi ngjarjen si një “tragjedi absolute”.
“Jemi të gjithë thellësisht të tronditur”, deklaroi Söder, kryeministër i Bavarisë dhe kryetar i CSU-së. Në rrjetin social X ai shkroi se bëhet fjalë për një “tragjedi absolute”. Presidentja e Parlamentit të Bavarisë, Ilse Aigner, tha se Aiwanger “u nda papritur nga jeta”, duke e cilësuar humbjen si “një humbje të madhe për Bavarinë”.
Edhe kryetarja e grupit parlamentar të të Gjelbërve në parlamentin bavarez, Katharina Schulze, shprehu ngushëllimet e saj: “Ngushëllimet e mia më të sinqerta shkojnë për familjen, të afërmit dhe të gjithë ata që i qëndronin pranë.”
“Bavaria pa të do të jetë ndryshe”
Partia Freie Wähler e Bavarisë bëri të ditur se Aiwanger kishte luajtur një rol vendimtar në shndërrimin e saj nga një forcë politike me bazë komunale në një faktor të rëndësishëm të politikës bavareze.
Nënkryetari i partisë, Armin Kroder, tha se partia do të vazhdojë të mbrojë një politikë të orientuar drejt qytetarëve, ashtu siç e kishte konceptuar Aiwanger. Kryetari i grupit parlamentar, Florian Streibl, deklaroi: “Bavaria pa të do të jetë ndryshe.”
Një politikan i debatueshëm
Tronditja nuk kufizohet vetëm në Bavari. Kryeministri i landit Renania Veriore-Vestfalia, Hendrik Wüst (CDU), e përshkroi Aiwangerin si një “politikan luftarak, për të cilin atdheu bavarez ishte gjithmonë në qendër të vëmendjes”. Ndërsa kryeministri i Baden-Württembergut, Cem Özdemir (Të Gjelbrit), e cilësoi atë si një politikan me karakter të fortë dhe bindje të qarta, i cili luftonte për idetë e tij.
Aiwangerishte një figurë politike shpesh e debatueshme në Gjermani dhe jo rrallëherë kontroverse. Ai njihej për stilin e tij luftarak dhe dialektin karakteristik të Bavarisë së Poshtme, që e bëri të njohur në mbarë Gjermaninë.
Në vitin 2008 ai hyri për herë të parë në Parlamentin e Bavarisë me Freie Wähler dhe u bë kryetar i grupit parlamentar. Dhjetë vjet më vonë, në vitin 2018, CSU-ja dhe Freie Wähler formuan një koalicion qeverisës. Aiwanger mori postin e ministrit të Ekonomisë së Bavarisë dhe të zëvendëskryeministrit.
Skandali i vitit 2023
Një moment i rëndësishëm në karrierën e tij ishte vera e vitit 2023. Disa javë para zgjedhjeve në Bavari, ai u përball me akuza lidhur me një fletushkë me përmbajtje antisemitike, e cila datonte nga koha kur ishte nxënës.
Koalicioni me CSU-në u vu në rrezik dhe largimi i tij nga qeveria dukej i mundshëm. Megjithatë, vetëm disa javë më vonë, Freie Wähler arriti rezultatin më të mirë në historinë e saj, duke siguruar 15,8 për qind të votave.
Në atë kohë, Aiwanger kërkoi falje për çështjen e fletushkës, por hodhi poshtë akuzat kryesore ndaj tij, duke deklaruar: “Ky nuk jam unë.”
Hetime për shkakun e vdekjes
Lajmi për vdekjen e 55-vjeçarit erdhi krejt papritur mbrëmjen e së mërkurës. Aiwanger u gjet pa shenja jete në një dhomë hoteli në Berlin, ku po qëndronte në kuadër të aktiviteteve partiake.
Sipas agjencisë DPA, ai kishte munguar në një takim të rëndësishëm të partisë gjatë pasdites për arsye shëndetësore dhe më pas nuk kishte qenë më i arritshëm.
Prokuroria ka nisur hetimet për të përcaktuar shkakun dhe rrethanat e vdekjes, si dhe për të përjashtuar mundësinë e përfshirjes së një pale të tretë./dw




