Kryeministri Edi Rama duket i vendosur të mos tërhiqet përballë kërkesave të qytetarëve, studentëve dhe të rinjve për dorëheqjen e tij. Në një konferencë të përbashkët me ambasadoren e BE-së, kreu i qeverisë deklaroi se dorëheqja e një kryeministri të zgjedhur nuk mund të imponohet nga protesta në rrugë. Me këtë qëndrim, Rama duket se u ka mbyllur derën kërkesave të protestuesve, duke zgjedhur të mos japë asnjë sinjal reflektimi për pakënaqësinë që po shprehet në bulevard.
Në vend që t'u përgjigjej kërkesave dhe shqetësimeve të qytetarëve, Rama u shpreh se nuk ka marrë shënim asnjë ide apo program për Shqipërinë nga protestat, ndërsa e lidhi qëndrimin e tij në krye të qeverisë me anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian. Ai deklaroi se objektivi është mbyllja e negociatave deri në fund të vitit 2027, duke theksuar se nuk mund të largohet nga drejtimi i ekzekutivit përpara përfundimit të këtij procesi. Një argument që ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si kryeministri e sheh përgjegjësinë politike dhe raportin me qytetarët që kërkojnë ndryshim.
Gjatë deklaratave të tij, Rama u rikthye edhe te pretendimet për përfshirjen e aktorëve të huaj në protestat në Shqipëri, duke përmendur Iranin dhe atë që e cilësoi si ndërhyrje hibride. Megjithatë, në vend që të ndalej te arsyet e pakënaqësisë qytetare dhe kërkesat për dorëheqje, kryeministri zgjodhi të zhvendoste vëmendjen te faktorët e jashtëm. Qëndrimi i tij rrezikon të thellojë përplasjen me protestuesit, ndërsa mbetet për t'u parë nëse qeveria do të japë përgjigje konkrete për shqetësimet që po artikulohen në rrugë.