E enjte, 5 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Rexhë Byberi jep me qera thertoren “fantazëm” që i kushtoi 12.7 milionë lekë
Lajme

Rexhë Byberi jep me qera thertoren “fantazëm” që i kushtoi 12.7 milionë lekë

Një investim prej miliona lekësh nga paratë publike në Bashkinë e Tropojës përfundon në një tjetër histori pikëpyetjesh. Thertorja në Shudenicë, e rikonstruktuar me rreth 12.7 milionë lekë pa TVSH, nuk u vu asnjë ditë në funksion dhe tashmë Bashkia e drejtuar nga Rexhë Byberi kërkon ta japë me qira për pesë vjet.

Objekti nuk arriti të pajisej me licencën e nevojshme për ushtrimin e aktivitetit, pasi nuk plotësonte kushtet. Ndërkohë, çmimi fillestar i përcaktuar nga Bashkia është vetëm 20,313 lekë në muaj, ndërsa qiramarrësi i ardhshëm duhet të kryejë investime prej të paktën 1 milion lekësh.

Pikëpyetjet nisin që me procedurën e prokurimit të vitit 2022, për rikonstruksionin e thertores dhe ndërtimin e tregut të bagëtive. Në tenderin me fond limit rreth 131 mijë euro mori pjesë vetëm bashkimi i kompanive “Ouen” dhe “Trajler”, të cilat u shpallën fituese pa konkurrencë.

Kompania “Trajler”, në pronësi të Anila Byberit, është raportuar si në pronësi të një të afërmeje të kryebashkiakut Rexhë Byberi dhe ka përfituar edhe kontrata të tjera publike gjatë drejtimit të tij.

Problematikat e procedurës janë evidentuar edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Në raportin e vitit 2025, KLSH konstaton se Komisioni i Vlerësimit të Ofertave shpalli fitues një operator ekonomik që nuk përmbushte kriteret e kualifikimit të përcaktuara në dokumentet e tenderit. Raporti evidenton përgjegjësi për anëtarë të komisionit, përfshirë M.K. dhe A.M.

Kështu, një objekt i financuar me miliona lekë nga buxheti publik, që nuk arriti të nisë aktivitetin për të cilin u ndërtua, tashmë ofrohet për shfrytëzim privat kundrejt një qiraje fillestare prej pak më shumë se 20 mijë lekësh në muaj.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.