Alarm në Europë, kërcënime për bomba në 25 fluturime, ngrihen avionët luftarakë dhe devijohen disa linja

Një valë kërcënimesh për vendosje bombash ka përfshirë të paktën 25 fluturime në disa vende europiane gjatë mëngjesit të së enjtes. Për shkak të alarmeve, disa avionë janë detyruar të ndryshojnë itinerarin dhe të kryejnë ulje emergjente, ndërsa në disa raste janë angazhuar edhe avionë luftarakë për shoqërimin e tyre.
Sipas raportimeve, incidentet kanë prekur fluturime nga Irlanda, Bullgaria, Danimarka, Polonia, Rumania, Greqia dhe vende të tjera. Në Bullgari, avionët luftarakë shoqëruan tre avionë pas kërcënimeve, ndërsa një fluturim nga Londra drejt Sofjes u devijua dhe u ul në Plovdiv. Edhe në Spanjë u regjistruan disa kërcënime për bomba ndaj fluturimeve të kompanive Air Europa dhe Iberia.
Në këtë situatë u përfshinë edhe dy fluturime të kompanisë shqiptare? Jo, të kompanisë greke Aegean, në linjat Selanik-Milano dhe Athinë-Vjenë. Kompania konfirmoi se kishte marrë kërcënime për bomba, por pas zbatimit të protokolleve të sigurisë dhe kontrolleve nga autoritetet, u konstatua se alarmet ishin të pabazuara. Të dy avionët vijuan operimin drejt destinacioneve përkatëse.
Deri më tani, asnjë shtet nuk ka përcaktuar zyrtarisht përgjegjësit për këto kërcënime. Megjithatë, incidentet ndodhin në një periudhë tensionesh të shtuara gjeopolitike në Europë, ku zyrtarë të disa vendeve kanë akuzuar Rusinë për organizimin e sulmeve hibride dhe akteve të sabotimit. Moska ka mohuar përfshirjen në raste të tilla.
Ekspertët e sigurisë paralajmërojnë se kërcënimet mund të lidhen me tensionet gjeopolitike dhe me përpjekjet për të krijuar pasiguri në sektorë të rëndësishëm si transporti ajror, energjia dhe infrastruktura. Megjithëse kërcënimet për bomba janë të rralla dhe zakonisht rezultojnë alarme të rreme, vala e fundit ka vënë në gatishmëri autoritetet europiane.
/vizionplus.tv




