Në Tiranë, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) paraqiti të enjten pretencën për çështjen “Plumbi i Artë”, një nga proceset më të rënda kundër krimit të organizuar në Shqipëri. Prokurorja Doloreza Musabelliu kërkoi për 15 të pandehurit dënime që variojnë nga 9 në 35 vjet burg, për akuza që përfshijnë vrasje me pagesë, atentate dhe trafik droge. Në total, dënimet e kërkuara janë rreth 300 vjet burg.
SPAK kërkoi nga 35 vjet burg për Henrik Hoxhajn dhe Petrit Qolin, dënimet më të larta në këtë pretencë. Për Nuredin Dumanin, figurën qendrore të dosjes që ka bashkëpunuar me drejtësinë, u kërkuan vetëm 10 vjet burg. Kërkesa për dënime më të ulëta u paraqit edhe për dy bashkëpunëtorët e tjerë të drejtësisë, Erjon Alibej dhe Skerdi Tase.
Të lidhura
None found
Dënimet e kërkuara nga SPAK janë: 10 vjet burg për Nuredin Dumanin, 15 vjet për Erjon Alibejn, 13 vjet për Skerdi Tasen, 35 vjet për Henrik Hoxhajn, 25 vjet për Enver Divën, 25 vjet për Besian Xhixhën, 20 vjet për Asllan Plakun, 15 vjet për Ardian Ozunin, 9 vjet për Gentian Sharrën, 20 vjet për Agron Qolin, 35 vjet për Petrit Qolin, 20 vjet për Fatos Gosën, 20 vjet për Xhulian Hoxhën, 15 vjet për Albert Pashajn dhe 25 vjet për Altin Ndocin.
Operacioni “Plumbi i Artë” u ndërmor në mars 2022, pas arrestimit të Nuredin Dumanit dhe Henrik Hoxhajt. Më pas, Dumani pranoi të bashkëpunonte me drejtësinë. Përmes dëshmive të tij u zbardhën krime të grupeve kriminale, të kryera nga viti 2011 deri në vitin 2022, kryesisht në Elbasan, Durrës dhe Tiranë.
Në dosje përfshihen vrasja e Emiljano Ramazanit dhe ekzekutimi i vëllezërve Viktor dhe Besmir Haxhia në Durrës, si edhe vrasjet e Fatmira Dedjes dhe Bujar Çelës në Elbasan. Hetimet nxorën në dritë edhe porosi për eliminimin e personave të tjerë, me pagesa që arrinin deri në qindra mijëra euro. Mes provave gjenden komunikime të zhvilluara në platformën e enkriptuar Sky ECC.
Edhe Henrik Hoxhaj kishte fillimisht statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, por SPAK ia hoqi më vonë. Gjatë procesit, ai dëshmoi për porosi vrasjesh dhe atentate të lidhura me Dumanin. Në gjykatë, Hoxhaj foli edhe për atentatin ndaj biznesmenit Lulzim Masha në janar 2022. Sipas tij, Dumani i kishte ofruar gjithsej 250 mijë euro për të vrarë Mashën dhe djalin e tij.
Në lidhje me këtë dosje, Leonard Palushi, ish-shefi i sektorit të vrasjeve në Policinë e Elbasanit, është dënuar më herët me 28 muaj burg. Pas paraqitjes së pretencës, procesi në Gjykatën e Posaçme vazhdon me parashtrimet e mbrojtjes, ndërsa vendimi pritet në seancat e ardhshme.





