Përveçse bizneset u zgjuan një mëngjes para një jave për të parë se taksat e tyre ishin rritur papritur nga qeveria, që u kishte premtuar besën se do ti konsultonte për çdo masë dhe do garantonte qëndrueshmëri fiskale, tashmë ata po përballen dhe me paqartësi për zbatimin e politikave të reja.
Nga 1 janari, tatimi mbi dividendin për bizneset është propozuar të rritet nga 8 në 15%. Për sipërmarrjet ishte e paqartë nëse fitimi i vitit 2026 dhe ai i pashpërndarë i viteve të mëparshme do të tatohej me 8%, me argumentin se ligji hyn në fuqi në 1 janar 2027.
Kur Monitor pyeti në Ministrinë e Financave dy ditë më parë, përgjigja ishte kjo: “Nga data 1 janar 2027, çdo dividend që shpërndahet nga një kompani do të tatohet me 15%, pavarësisht se kur është realizuar fitimi, në vitin 2026, 2025 apo më parë. Pra, nëse asambleja e ortakëve ose aksionerëve merr vendimin për shpërndarjen e dividendit nga 1 janari 2027 e në vijim, do të zbatohet norma e re prej 15%, edhe nëse dividendët vijnë nga fitime të akumuluara gjatë viteve të mëparshme.
Por, gjatë ditës së djeshme, në Komisionin e Ekonomisë, Ministri i Financave Petrit Malaj tha se të gjitha fitimet e vitit 2026, do e paguajnë dividendin me normën aktuale prej 8% dhe kanë afat për ta shpërndarë deri në 31 korrik të 2027-s dhe duhet ta paguajnë deri në 20 gusht 2027.
Sqarimi i tij erdhi pas insistimit të deputetit të Partisë Demokratike Igli Cara në Komisionin e Ekonomisë.
“Kompanitë që ndajnë dividendin vitin e ardhshëm nga 8% që e kishin planifikuar, ju thoni që nga viti 2027, të gjithë fitimin që do e ndajnë do e paguajnë me 15%. Ka disa kompani që për arsye investimesh nuk kanë bërë ndarje dividendi prej vitesh. Të paktën për vitin e fundit ju duket normale që pa e planifikuar më parë, pa u lajmëruar subjektet në fund të vitit të lajmërohen që dividend nuk do ta kenë më 8%, por do ta kenë 15%, sepse ata mund të kenë bërë planifikime dhe kjo nuk është fare normale”, tha ai.
Ministri Malaj ka sqaruar se si funksionon kalendari i dividendit.
“Për dividendin e vitit 2026, pasi të mbyllen pasqyrat financiare, deri në korrik të 2027-s bizneset do të përcaktojnë se çfarë do të bëjnë me fitimin e vitit 2026, do ta trashëgojnë për vitet pasardhëse për të kryer investime ose për të mbuluar humbjet e viteve të mëvonshme apo duan ta shpërndarje si dividend. Dhe në momentin që ata marrin vendimin në 31 korrik, që do ta shpërndajnë si dividend, dividendin duhet ta paguajnë brenda datës 20 gusht 2027. Kjo do të thotë që norma do të jetë me nivelin aktual prej 8%, se ky ligj hyn në fuqi nga 1 janari 2027. Dmth dividendin e fitimeve të 2027-s do ta paguajnë në gusht të vitit 2028”, tha Malaj.
“Dividendët që nuk janë shpërndarë akoma e kanë paguar tashmë pjesën e tatimit mbi dividendin”, sqaroi ai.
SHIKO VIDEON NGA MBLEDHJA E DJESHME E KOMISIONIT TË EKONOMISË
Por, gjatë ditës së sotme, po në Komisionin e Ekonomisë, Ministri Malaj i është rikthyer variantit të parë të Ministrisë së Financave, sipas të cilës çdo fitim i shpërndarë pas 1 janarit 2027 do të tatohet me 15%, pavarësisht nga viti kur është realizuar.
“Çdo vendim qe merret mbi shpërndarjen e dividendit pavarësisht se kujt viteve i përkasin i përkasin fitimet deri me datën 31 dhjetor 2026 do të tatohen me 8%. Çdo vendim dividendi që do të merret nga 1 janari 2027 e në vazhdim do të bëhet me 15%. Fitimet e realizuara pavarësisht mund të jetë fitime të trashëguara nga 2022, 2023, 2024, që nuk kanë ndarë dividend, e kanë fitim të pashpërndarë deri në 31 dhjetor 2026 në qoftë se marrin vendimin që do ta shpërndajnë si dividend do të paguajnë 8%”, tha sot Malaj.
Pasi deputetët filluan të ankoheshin duke e krahasuar me atë që tha një ditë më parë, Ministri Malaj tha Jo Jo.
“Nga 1 janari 2027 që hyn ligji në fuqi e në vazhdim çdo vendim dividendi që merret vendimi për tu shpërndarë, edhe nëse i përket viteve të mëparshme do të tatohet me 15%”.
Ai shtoi se presim që shumë kompani të mund të marrin vendim që fitimet e pashpërndara ti shpërndajnë si dividend në mënyrë që të fitojnë nga 8% përpara se të kalojnë në vitin 2027.
SHIKO VIDEON ME DEKLARATAT E SOTME TË MINISTRIT
Paketa e re fiskale për vitin 2027 parashikon rritjen e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%. Ministria e Financave argumentoi në relacionin e projektligjit që shoqëron ndryshimin se rritja e tatimit mbi dividendin synon unifikimin e tij me tatimin mbi të ardhurat e tjera nga investimet, të cilat aktualisht tatohen me 15%.
Një tjetër argument i Ministrisë së Financave është nxitja e riinvestimit të fitimeve. Sipas relacionit, rritja e tatimit mbi dividendin dekurajon tërheqjen e fitimeve për konsum dhe nxit mbajtjen e tyre në kompani për zgjerimin e aktivitetit, modernizimin teknologjik dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
Fitimet që mbeten në kompani nuk i nënshtrohen tatimit mbi dividendin për sa kohë nuk shpërndahen, ndërsa për fitimet e shpërndara do të zbatohet norma e re prej 15%, nëse projektligji miratohet.
Sipas relacionit, norma më e ulët prej 8% për dividendët mund të krijojë mundësi për arbitrazh tatimor, përmes deklarimit të pagave më të ulëta nga ortakët apo drejtuesit e kompanive dhe tërheqjes së një pjese më të madhe të të ardhurave si dividend. Për këtë arsye paketa përfshin edhe ndryshime ligjore për të parandaluar shpërndarjen e tërthortë të fitimit pa paguar tatimin përkatës./ Monitor













