Komisioni i Prokurimit Publik është përfshirë në një skandal të rëndë, teksa ka ligjëruar me vetëdije tenderin e paligjshëm 12.1 milionë euro për mirëmbajtjen e rrugëve kombëtare.

Përmes një vendimi të marrë tre ditë më parë, KPP i ka hapur rrugë Autoritetit Rrugor Shqiptar që të certifikojë kompaninë “BAMI HOLDING” shpk si fituese, duke injoruar faktin tronditës se dokumentet e kësaj të fundit u ndryshuan në tavolinë pasi gara kishte përfunduar.
Vetë fituesi pranoi ndryshimin e letrave në Gjykatë
Sipas dosjes investigative, “Bami Holding” kishte deklaruar fillimisht makineri (kamionçina/borëpastruese) që rezultonin të çregjistruara dhe të pafunksionshme, duke dështuar në plotësimen e kritereve të detyrueshme teknike.
Mirëpo, në vend që të skualifikohej menjëherë sipas ligjit, kompanisë iu mundësua një “asistencë e jashtëzakonshme” nga ARRSH-ja: dorëzimi i një deklarate pa datë dhe pa numër protokolli, me të cilën mjeti problematik u zëvendësua ex-post (pas tenderit) me një tjetër.
Kulmi i këtij skandali ka arritur gjatë përballjes në Gjykatën Administrative të Apelit. Të gjendur përballë provave të pakundërshtueshme të publikuara nga Kapitali.al, përfaqësuesit e vetë kompanisë fituese kanë pranuar në seancë gjyqësore se dokumentet fillestare kishin probleme dhe se letrat ishin ndryshuar pas mbylljes së tenderit.

Ky pranim i hapur i fajit vërteton shkeljen e Nenit 91 të Ligjit të Prokurimit Publik, i cili ndalon në mënyrë taksative çdo modifikim të ofertës paz zhvillimit të garës.
KPP fshihet pas procedurës
Edhe pse paligjshmëria u pranua nga vetë përfituesi, trupa e KPP-së (Ismail Shehu, Donika Daci, Edvin Simo dhe Nertil Kanina) zgjodhi të mbyllte sytë. Në vend që të mbronte fondet publike dhe të dërgonte kompaninë për hetim administrativ për deklarim të rremë, KPP përdori një “hile” ligjore.
Komisioni vendosi të mos e pranojë fare ankesën e operatorit rival “Alko Impex”, me arsyetimin se ky i fundit ishte skualifikuar në fazën e parë dhe “nuk legjitimohej” të ankohej për mënyrën se si u shpall fituesi në fazën e dytë.

Duke përdorur këtë filtër formal e burokratik, KPP refuzoi qëllimisht të hynte në analizën e vjedhjes dhe të zëvendësimit të letrave në tavolinë, duke u kthyer de-facto në një noterizues të parregullsive flagrante.
Skandali përfundon në SPAK
Ndërsa KPP zgjodhi të certifikojë procedurën dhe t’i dhurojë kontratën 12 milionëshe kompanisë “Bami”, çështja tashmë ka kaluar në duart e drejtësisë penale. Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) ka regjistruar një procedim penal për “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera”.
Provat e reja të administruara në gjykatë, ku vetë fituesi pranoi manipulimin e kapaciteteve teknike jashtë afatit ligjor, pritet të jenë kyçe për të zbardhur nëse ky “shërbim” ndaj kompanisë ka pasur si prapavijë një aferë korruptive të kupolës së ARRSH-së dhe nëse KPP ka bashkëpunuar me vetëdije në mbulimin e këtij krimi ligjor./ Kapitali.al













