Prokuroria e Posaçme dyshon se biznesmeni Ergys Agasi kishte vënë në dispozicion një rrjet ndërkombëtar në shërbim të interesave të grupit kriminal që drejtohej prej tij. Burime për Report Tv bëjnë me dije se komunikimet e Ergys Agasit me dy shtetas izraelitë janë përdorur nga SPAK për të argumentuar rrezikun e arratisjes së ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, nëse ajo do të lihej e lirë dhe jo me masë arrest në shtëpi që është tani në fuqi.

Burimet i thanë Report Tv se Agasi u tregonte dy izraelitëve për raportin e afërt me Hysenin. Në një mesazh të dërguar më 22 gusht, shtetasit izraelit të regjistruar në telefon si Shalev Israel, Agasi i shkruante: “E kam shoqe të ngushtë shefen e shërbimit sekret.”

Ndërsa, në një tjetër komunikim më 6 gusht, përmes aplikacionit “Signal”, Agasi i shkruante izraelitit Srulik Einhorn Koces: “Jemi me fat që këtu e kanë kapur vetë amerikanët dhe e dinë sjelljen e tij dhe diçka tjetër, drejtoresha e shërbimit sekret do të takohet vetë me të dhe do t’i flasë për këtë punë, duke i sjellë prova që prokurori e ka bërë këtë për interesa të tjera.”.

Këtu nuk kuptohet se kujt i referohet Agasi si një njeri që amerikanët e dinë mirë sjelljen e tij, por duket qartë se sipas tij Vlora Hyseni do ta takojë dhe do t’i çojë prova kundër një prokurori që ka hapur një çështje për interesa të vetat. (nuk kuptohet nëse bëhet fjalë për Dumanin apo ndonjë prokuror tjetër të SPAK që kanë nën hetim Agasin).

Sipas SPAK Vlora Hyseni i ka vënë Agasit në dispozicion jo vetëm cilësinë e saj si shefe e SHISH por edhe kapacitetet institucionale të institucionit që ajo drejton.

Report Tv ka mësuar gjithashtu përmes burimeve se provat që SPAK ka paraqitur për të lënë në burg shefin e sektorit të laboratorit të Policisë Shkencore, Fatjon Kalluçi lidhen kryesisht me faktin se ai kishte një zell për t’ia çuar ekspertizat zyrtare të hetimeve Agasit edhe para t’i dorëzoheshin vetë Prokurorisë së Posaçme. Kalluçi u la në burg nga Apeli i Posaçëm.

Ndërsa për të akuzuarin tjetër, kamerieri Embro Sulejmani, SPAK thotë që ai jo vetëm i dërgonte ushqim rregullisht por edhe e lëvizte atë me makinë. Komunikimet ishin të përhershme. Madje interesant është një mesazh i Sulejmanit në drejtim të Agasit ditën e arrestimit në mëngjes kur i thoshtë “Kapo, do gjë?. Ndërsa në darkë kur tashmë Agasi ishte prangosur Embro Sulejmani komunikon me një mik i lehtësuar se nuk e kishte transportuar ai këtë herë Ergys Agasin se ndryshe do ishte kapur. Sulejmani i lirua nga gjykata dhe ndaj tij u vendosën masat e “detyrimi të paraqitjes” dhe ‘ndalim i daljes jashtë vendit”.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Lajmi në përditësim.....

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:54
Kryekamerieri Embro Sulejmani informonte Agasin për hyrje-daljet te rezidenca qeveritare në Durrës, biznesmeni kishte një vilë! E lëvizte edhe me makinë

Embro Sulejmani, i cili punonte si kryekamerier në një lokal pranë rezidencës qeveritare, rezulton se e ka lëvizur Ergys Agasin me makinë gjatë kohës që ishte në arrati. Një burim i tha Report Tv se, pak ditë para arrestimit të Agasit, Sulejmani koordinonte me të vendndodhjen, orarin dhe mënyrën e lëvizjes në Durrës.

Sulejmani dyshohet se kontrollonte edhe hyrje-daljet në zonën e Vilave Qeveritare në Durrës, ku Agasi zotëron një vilë, zonë e cila ruhet nga Garda e Republikës. Sipas hetuesve, komunikimet mes tyre tregojnë se ndihma ndaj Agasit ishte e organizuar dhe e vazhdueshme.

Burime thonë se në një bisedë pak orë pas arrestimit të Agasit, Sulejmani shprehte lehtësim që nuk ishte kapur bashkë me të. Për hetuesit, në këtë komunikim ai pranonte tërthorazi se e kishte transportuar Agasin gjatë arratisë dhe për këtë arsye ndaj tij është ngritur akuza për përkrahje të autorit të krimit.

Ora 15:38
Si e informonte shefi i Policisë Kriminale Ergys Agasin për provat e sekuestruara në makinë: Këqyrjen e bënë vetë hetuesit, do të kërkoj procesverbalin e ta nis

Report Tv ka siguruar të dhëna të reja nga hetimet e SPAK për Ergys Agasin, i ndihmuar gjatë arratisë nga ish-drejtoresha e SHISH, Vlora Hyseni, si edhe nga shefi i sektorit të laboratorit të Policisë Shkencore, Fatjon Kalluçi dhe kamerieri Embro Sulejmani.

Sipas burimeve, në gusht para arrestimit të Agasit, Kalluçi dyshohet se i dërgoi 3 fotografi të ekspertizës së makinës së tij “Land Rover Defender”, i sekuestruar gjatë kontrolleve në Equos Resort, ku SPAK gjeti 9 faqe dokumente sekrete të SHISH.

I njëjti burim thotë për Report Tv se Kalluçi, i akuzuar për nxjerrje të sekretit shtetëror, e informonte Agasin se provat kishin mbërritur të paketuara në laborator për t’u ekzaminuar për gjurmë ADN-je. Ndërsa Agasi kërkonte të dinte kur ishte kontrolluar makina dhe çfarë dokumentacioni ishte mbajtur për sendet e gjetura brenda saj.

“Nuk e di, vlla, çfarë të them, se këqyrja nuk është bërë tek ne. E kanë bërë vetë ata”, mësohet t’i këtë shkruar Kalluçi-Agasit, ndërsa i sqaronte se kontrolli i makinës ishte kryer nga hetuesit dhe se laboratori kishte marrë vetëm provat për ekspertim. Ai shprehej se do të kërkonte edhe procesverbalin e këqyrjes për t’ia dërguar Agasit.