Gjashtë persona humbën jetën nga një zjarr që përfshiu një ndërtesë banimi në Sunset Park të Brooklynit, New York. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të së enjtes dhe la edhe disa të plagosur.
Departamenti i Zjarrfikësve të New Yorkut (FDNY) bëri të ditur se zjarri u raportua rreth orës 01:40, sipas kohës lokale. Në ndërhyrje morën pjesë më shumë se 230 zjarrfikës dhe punonjës të shërbimeve mjekësore të urgjencës.
Të lidhura
None found
Kur ekipet e emergjencës arritën në ndërtesë, flakët kishin përfshirë katin e parë dhe të dytë, sipas raportimeve.
BBC raporton se katër persona u shpallën të vdekur në vendngjarje. Dy të tjerë, një burrë dhe një grua, ndërruan jetë në spital si pasojë e plagëve.
U plagosën gjithashtu gjashtë civilë, dy prej të cilëve janë në gjendje kritike, si dhe tre zjarrfikës.
Për shkak se në ndërtesë ndodhej një bateri, në operacion u angazhua edhe një ekip i specializuar për materialet e rrezikshme. Autoritetet nuk kanë konfirmuar nëse bateria lidhet me nisjen e zjarrit.
Kryebashkiaku i New Yorkut, Zohran Mamdani, shprehu dhimbje për humbjen e jetëve dhe u lut për shërimin e të plagosurve.







