Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit zbarkuan këtë të mërkurë në Bashkinë e Sarandës, ku pjesë e kontrolleve ka qenë edhe banesa e nënkryetarit të kësaj bashkie, Elton Dauti. Operacioni i ndërmarrë me urdhër të Prokurorëve të Posaçëm lidhet me hetimet që SPAK ka nisur verën e këtij viti për dyshimet e shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit në këtë bashki. Agjentët e BKH-së janë paraqitur në banesën e Dautit rreth orës 07:30. Në fokus të verifikimeve raportohet se është leja e miratuar nga Mirela Kumbaro, gjatë kohës kur mbante detyrën e ministres së Turizmit dhe Mjedisit për ushtrimin e një aktiviteti turistik në zonën e Syrit të Kaltër.