Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD) i ka propozuar Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) marrjen e një mase disiplinore ndaj një prokuroreje në Dibër, duke kërkuar uljen e përkohshme të pagës deri në 40 për qind, për një periudhë maksimale prej një viti.
Bëhet fjalë për prokuroren me inicialet S.Q., pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër.
Sipas raportit hetimor, ILD ka nisur kryesisht hetimin disiplinor ndaj magjistrates, pas konstatimit të shkeljeve të rënda ose të përsëritura të legjislacionit procedural dhe material, të evidentuara edhe nga një gjykatë më e lartë.
Nga hetimi dhe shqyrtimi i provave, ILD ka konstatuar se prokurorja ka refuzuar t’i përcjellë Gjykatës së Apelit informacionin e kërkuar, duke argumentuar se një veprim i tillë do të cenonte sekretin hetimor.
Megjithatë, ky qëndrim është konsideruar nga gjykata si zbatim i gabuar i procedurës penale, duke ndikuar në shqyrtimin e masës së sigurimit, vlerësimin e hetimeve dhe vendimmarrjen mbi kërkesën e paraqitur.
Sipas ILD-së, veprimet dhe mosveprimet e prokurores kanë penguar Gjykatën e Apelit të shqyrtojë të gjitha pretendimet e ngritura në ankim, në një çështje që lidhej drejtpërdrejt me të drejtën themelore të individit për liri.
Në raportin e tij, Inspektori i Lartë i Drejtësisë vlerëson se sjellja e magjistrates nuk lidhet me mungesën e aftësive profesionale, por me veprime të drejtpërdrejta dhe të vullnetshme. Sipas institucionit, këto veprime kanë cenuar imazhin e sistemit të drejtësisë dhe besimin e publikut në administrimin e tij.
ILD thekson gjithashtu se respektimi i ligjit dhe i rregullave procedurale është një detyrim themelor për çdo prokuror, ndërsa shkeljet e tyre mund të cenojnë sigurinë juridike dhe të pengojnë gjykatat në ushtrimin e kompetencave.
Në përfundim të hetimit, ILD i ka propozuar Këshillit të Lartë të Prokurorisë masën disiplinore të uljes së përkohshme të pagës deri në 40 për qind, për një periudhë jo më të gjatë se një vit. Vendimi përfundimtar i takon KLP-së.


