
Prokuroria e Posaçme, SPAK kërkoi të enjten dënimin me 292 vjet burg për 14 të pandehurit në çështjen penale të njohur si “Plumbi i Artë”. Gjatë konkluzioneve përfundimtare, prokuroria kërkoi fajësi edhe për Nuredin Dumanin, i cili gëzon statusin e të penduarit të drejtësisë dhe dënimin e tij me 10 vjet heqje lirie. Për dy bashkëpunëtorët e tjerë të drejtësisë, Skerdi Tase dhe Erion Alibeaj u kërkuan dënimet me 13 vjet burg për të parin dhe 15 vjet heqje lirie për tjetrin.
SPAK kërkoi dënimin me nga 35 vjet burg për Henrik Hoxhën; dënime me nga 25 vjet burg për Besian Xhixhën, Enver Divën, Petrit Qolin dhe Altin Ndoci; dënime me 20 vjet burg për Xhulian Hoxhën, Agron Qoliun, Asllan Plakun dhe Fatos Gosën; dënime me 15 vjet për Adrian Uzunin dhe Albert Pashajn dhe 9 vjet burg për Gentian Sharrën.
Bashkëpunimi i të pandehurve Dumani, Tase dhe Alibeaj me drejtësinë bënë të mundur që të zbardheshin një sërë ngjarjesh të rënda të ndodhura gjatë vitee të fundit në qarqet e Tiranës, Durrësit e Elbasanit. SPAK arriti të hetojë dhe zbulojë disa vrasje, mes tyre atë të Bujar Çelës, Regnis Runajt, Emiljano Ramazanit, Dorian Shkozës, vëllezërve Viktor e Besmir Haxhia, Andi Zylyfit, si dhe të Anxhelo Avdisë. Po ashtu, u zbardh atentati i dështuar ndaj Agim Boriçit, si dhe plane për vrasjen e personazheve të tjerë të botës së krimit. Dumani ka dëshmuar ndër të tjera në gjykatë se, Ervis Martinaj i kishte premtuar rreth 500 mijë euro për të vrarë Indrit Doklen.





