Konfirmohet lajmi se ndeshja Bjellorusi-Shqipëri do të luhet pa spektatorë, edhe pse FSHF kishte kërkuar që ndeshja të zhvillohej me praninë e tifozëve.
Tashmë është zyrtare. Përballja Bjellorusi-Shqipëri, e vlefshme për ndeshjen e fundit të Grupit C1 në UEFA Nations League, do të zhvillohet pa praninë e spektatorëve. Takimi është programuar më 15 nëntor, në stadiumin “Illovszky Rudolf” të Budapestit, në Hungari.
TCH raporton se tifozët shqiptarë nuk do të mund të jenë të pranishëm në shkallët e stadiumit për të mbështetur kuqezinjtë në këtë transfertë.
Vendimi lidhet me sanksionet e vendosura nga UEFA ndaj Bjellorusisë. Sipas një vendimi të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, të marrë më 3 mars 2022 dhe që vijon të jetë në fuqi, ekipet kombëtare dhe klubet bjelloruse duhet t’i zhvillojnë ndeshjet si pritëse në terrene neutrale dhe pa praninë e publikut.
Edhe pse FSHF kishte paraqitur një kërkesë për zhvillimin e takimit me spektatorë, vendimi i UEFA-s mbetet i pandryshuar. Për rrjedhojë, as mbështetësit shqiptarë nuk do të kenë mundësi të hyjnë në stadium, pavarësisht se ndeshja zhvillohet në Budapest dhe jo në territorin bjellorus.
Shqipëria do ta mbyllë kështu aventurën në Grupin C1 me një transfertë të pazakontë, ku kuqezinjtë do të duhet të kërkojnë rezultatin e dëshiruar pa mbështetjen e tifozëve nga shkallët e stadiumit.











