Politikë

“668 milionë lekë borxhe dhe vetëm 49% e investimeve të realizuara në Bashkinë Korçë”, Ledina Alolli: Sotiraq Filo t’u japë përgjigje qytetarëve!

Deputetja e Partisë Demokratike, Ledina Alolli, ka ngritur akuza ndaj drejtimit të Bashkisë Korçë, duke iu referuar gjetjeve të raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për auditimin e kryer në këtë institucion, në tetor 2026.

Në një deklaratë publike, Alolli e ka cilësuar raportin si një alarm për mënyrën se si administrohen financat dhe pasuria publike në bashkinë e drejtuar nga Sotiraq Filo. Sipas saj, shifrat e paraqitura nga KLSH tregojnë probleme me mbledhjen e detyrimeve, realizimin e investimeve, procedurat e prokurimit dhe administrimin e pronave.

Deputetja e PD-së theksoi se detyrimet tatimore të pambledhura në fund të vitit 2025 arrinin në 668 milionë lekë, me një rritje prej afro 36 milionë lekësh brenda një viti.

Një tjetër problem i evidentuar, sipas deklaratës, është realizimi i vetëm 49% të investimeve të planifikuara për vitin 2025. Nga 418 milionë lekë të parashikuara, janë realizuar 203 milionë lekë, ndërsa mbi 214 milionë lekë investime kanë mbetur pa u kryer.

Alolli ngriti gjithashtu shqetësime për procedurat e prokurimit publik. Duke iu referuar auditimeve të viteve 2023-2024, ajo tha se në 20 nga 36 procedura të audituara janë shpallur fitues operatorë ekonomikë që nuk plotësonin të gjitha kriteret e tenderave, ndërsa vlera e kontratave arrinte në rreth 662 milionë lekë pa TVSH.

Deklarata e deputetes së PD, Ledina Alolli

Të nderuar qytetarë!

Në bashkinë Korçë ka dy realitete. Njëri është ai i inaugurimeve, fotografive dhe premtimeve të Sotiraq Filos. Tjetri është ai që ka dokumentuar Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Në të parin gjithçka shkon mirë. Në të dytin, borxhet rriten, investimet nuk realizohen sipas planit dhe rekomandimet mbeten të pazbatuara.

Problemi është se propaganda mund të zbukurojë një fotografi, por nuk mund të ndryshojë një bilanc financiar. Dhe bilanci që paraqet Kontrolli i Lartë i Shtetit për bashkinë Korçë meriton përgjigje, jo propagandë.

Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit për bashkinë Korçë është një alarm i kuq për mënyrën se si administrohen paratë dhe pasuria publike, të cilat u përkasin të gjithë qytetarëve.

Në raportin përfundimtar të auditimit, tetor 2026, shifrat flasin qartë, por ngrenë pikëpyetje serioze mbi përgjegjësinë dhe efiçencën e drejtimit të bashkisë Korçë.

Së pari, 668 milionë lekë detyrime tatimore të pambledhura. Ky është borxhi tatimor i akumuluar në bashkinë Korçë në fund të vitit 2025.

Vetëm brenda një viti, ky borxh është rritur me afro 36 milionë lekë. Si mund të flitet për një administrim të mirë financiar kur detyrimet e pambledhura në vend që të ulen, vazhdojnë të rriten.

Por pas kësaj rritje qëndron edhe një problem tjetër shqetësues. Arroganca e pushtetit të kryetarit të bashkisë dhe akëmaria politike e shfaqur në rivlerësimin e tarifave vendore, siç janë ato të pastrimit dhe gjelbërimit, pa mbështetje në kritere ligjore.

Qytetarë dhe biznese të vogla familjare, të prekura nga këto rivlerësime, kanë paraqitur ankesa zyrtare pranë bashkisë Korçë, por nuk kanë marrë përgjigje. Heshtja ndaj qytetarëve nuk është administrim, është shpërfillje e detyrimit për të dhënë llogari.

Së dyti, vetëm 49% e investimeve të cilat janë planifikuar, janë realizuar. Nga 418 milionë lekë investime të parashikuara për vitin 2025, janë realizuar vetëm 203 milionë lekë.

Mbi 214 milionë lekë investime të cilat janë planifikuar, kanë mbetur të parealizuara. Këto shifra tregojnë hendekun e madh midis premtimeve dhe realitetit.

Projektet miratohen në letër, por nuk kthehen në investime konkrete për qytetarët e Korçës. Së treti, parregullsi në tenderat publikë dhe mangësi në kontrollin e tyre. Në ndjekjen e gjetjeve të auditimeve të mëparshme, KLSH evidenton se në 20 nga 36 procedura prokurimi publik të audituara për vitet 2023-2024, janë shpallur fitues operatorë ekonomikë të cilët nuk plotësonin të gjitha kriteret e përcaktuara në dokumentat e tenderit.

Vlera e kontratave të këtyre procedurave arrin në rreth 662 milionë lekë pa TVSH. Pas parregullsive të dokumentuara në tenderat e viteve të mëparshme, gjatë vitit 2025 kjo fushë nuk ishte përfshirë në planin e auditimit të brendshëm.

Pra, nuk është siguruar një kontroll i brendshëm i planifikuar mbi prokurimet publike. Këto janë gjetje të cilat kërkojnë përgjigje konkrete dhe përgjegjësi për mënyrën se si janë administruar procedurat e prokurimit me paratë publike.

Së katërti, probleme serioze në administrimin e pasurisë publike. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, 279 prona të certifikuara në emër të bashkisë Korçë nuk janë regjistruar në pasqyrat si aktive afatgjata materiale.

Janë konstatuar gjithashtu pasaktësi në pasqyrimin e aktiveve me vlera dhjetëra milionë lekë. Si mund të pretendohet transparencë në administrimin e pasurisë publike kur vetë pasqyrat financiare nuk e paraqesin atë të plotë dhe të saktë. Së pesti, miliona lekë detyrime të paarkëtuara nga kontratat dhe tarifat vendore.

Kontrolli i Lartë i Shtetit evidenton mbi 39 milionë lekë detyrime të papaguara nga kontratat e qirasë së tokës bujqësore, si dhe mbi 1.3 milionë lekë të ardhura të paarkëtuara nga vendparkimet e rezervuara.

Këto janë të ardhura publike që bashkia ka detyrimin t’i arkëtojë, por që vazhdojnë të mbeten të pambledhura. Dhe ajo e cila e bën më alarmante këtë panoramë është fakti se nga 37 masa organizative të rekomanduara në auditimin e mëparshëm, 13 rezultojnë të pazbatuara dhe 8 të tjera janë ende në proces.

Pra, problemet konstatohen, rekomandimet jepen, por përgjegjësit nuk nxitojnë t’i zgjidhin. Kjo nuk është thjesht neglizhencë administrative, por një tregues shqetësues i mungesës së përgjegjshmërisë në drejtimin e bashkisë. Dhe tani dua t’i drejtohem drejtpërdrejt kryetarit të bashkisë së Korçës, zotit Sotiraq Filo.

Ju mund të flisni për projekte, aktivitete dhe investime, por nuk mund t’i shmangni gjetjet e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Qytetarët e Korçës meritojnë përgjigje, jo propagandë.

Pse është rritur borxhi tatimor? Pse është realizuar vetëm gjysma e investimeve të planifikuara?

Çfarë masash janë marrë për parregullsitë e konstatuara në tenderat e viteve të mëparshme dhe për mangësitë e kontrollit gjatë vitit 2025?

Pse 279 prona të certifikuara nuk janë pasqyruar? Dhe mbi të gjitha, pse një pjesë e rekomandimeve të KLSH-së vazhdojnë të mbeten të pazbatuara?

Si deputete e qarkut Korçë, kërkoj nga drejtimi i bashkisë Korçë të bëjë publike masat e marra për secilën prej këtyre gjetjeve, përgjegjësitë administrative të identifikuara dhe afatet konkrete për zbatimin e rekomandimeve.

Korça nuk mund të administrohet me premtime, propagandë dhe heshtje përballë problemeve.

Paratë publike kërkojnë transparencë.

Pasuria publike kërkon përgjegjësi.

Dhe qytetarët meritojnë llogaridhënie.