
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale parashikon një fond prej 33,4 miliardë lekësh për mirëqenien sociale në vitin 2027, me fokus mbështetjen e familjeve në nevojë, personave me aftësi të kufizuara, fëmijëve dhe kategorive të tjera në vështirësi ekonomike e sociale. Gjatë prezantimit të projektbuxhetit 2027 në Komisionin për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale, ministrja Klodiana Spahiu, tha se fondi për programin e Mirëqenies Sociale arrin në 31,4 miliardë lekë, ndërsa së bashku me programin e përkujdesit social dhe mbështetjen për ish-të përndjekurit politikë, financimi total shkon në 33,4 miliardë lekë.
“Buxheti për vitin 2027, për mbrojtjen dhe mirëqenien sociale, është një buxhet që reflekton vizionin tonë për një shoqëri më të drejtë, më solide dhe më mbështetëse për çdo qytetar, veçanërisht për ata që përballen me vështirësi ekonomike, sociale apo shëndetësore”, u shpreh Spahiu. Ajo bëri të ditur se, në krahasim me vitin 2014, buxheti për Mirëqenien Sociale është rritur me 44%. Një nga zërat kryesorë të financimit është skema e ndihmës ekonomike, për të cilën janë parashikuar 6,8 miliardë lekë. Sipas ministres, përmes kësaj skeme synohet të mbështeten rreth 59 mijë familje, ndërsa paralelisht do të vijojnë programet e punësimit dhe formimit profesional për anëtarët e tyre në moshë aktive pune.
“Kjo mbështetje nuk është vetëm financiare. Ajo shoqërohet me programe punësimi, formimi profesional dhe riintegrimi social, me synimin që familjet të kenë mundësi reale për një jetë më të mirë dhe të qëndrueshme”, tha Spahiu. Ministrja theksoi se rreth 3 500 persona janë integruar gjatë një viti në tregun e punës përmes punësimit dhe formimit profesional. Ajo nënvizoi se kontrollet e shtuara nga Shërbimi Social Shtetëror kanë ndihmuar në parandalimin e abuzimeve me përfitimet nga skema.
Një tjetër risi e projektbuxhetit është parashikimi i mbështetjes mujore për familjet me të ardhura të ulëta që kanë fëmijë nga 0 deri në 5 vjeç, masë që pritet të nisë në korrik të vitit 2027. “Propozojmë një hap të ri dhe të rëndësishëm: mbështetje mujore për familjet me të ardhura të ulëta, nga 0-5 vjeç, duke filluar nga korriku i vitit 2027. Kjo masë synon të ndihmojë familjet në përballimin e kostove të rritjes së fëmijëve dhe të japë një sinjal të qartë se familja mbetet në qendër të politikave tona”, deklaroi Spahiu.
Për këtë program, në vitin 2027 parashikohet një fond prej 500 milionë lekësh, ndërsa në vitet pasardhëse financimi pritet të arrijë në 1,1 miliardë lekë. Në mbështetje të familjeve dhe nxitjes së lindshmërisë, 2,8 miliardë lekë janë parashikuar për programin “Bonusi i Bebes”. Ndërkohë, për gratë e papuna me tre ose më shumë fëmijë do të vijojë mbulimi i kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. “Për këtë politikë janë parashikuar 870 milionë lekë për vitin 2027, 890 milionë lekë për vitin 2028 dhe 910 milionë lekë për vitin 2029, duke garantuar mbrojtje sociale dhe siguri për rreth 8 900 nëna shqiptare”, bëri të ditur ministrja.
Një pjesë e konsiderueshme e buxhetit të mirëqenies sociale, rreth 19 miliardë lekë, do t’u dedikohet personave me aftësi të kufizuara dhe kujdestarëve të tyre. Përmes këtij financimi parashikohet mbështetja e rreth 99 mijë përfituesve. Spahiu u ndal te masat e ndërmarra gjatë vitit 2026 për këtë kategori, duke përmendur dyfishimin e pagesave për 10 240 fëmijë me aftësi të kufizuara, me një fond shtesë prej 1,3 miliardë lekësh, si dhe mbulimin e periudhave kontributive për 14 657 ndihmës personalë, me një financim shtesë prej 2,1 miliardë lekësh. Në drejtim të shërbimeve sociale, për rrjetin e institucioneve të përkujdesit social janë parashikuar 1,4 miliardë lekë, ndërsa Fondi Social do të financohet me 480 milionë lekë për zhvillimin e shërbimeve në nivel vendor, në bazë të nevojave të identifikuara nga bashkitë.
Spahiu bëri të ditur se një nga nismat e reja për vitin 2027 është ngritja e Platformës Kombëtare të Mbështetjes për Familjet Ekstremisht të Varfra, përmes së cilës synohet adresimi i nevojave të 2 763 familjeve, në bashkëpunim me pushtetin vendor, shoqërinë civile, komunitetet fetare dhe partnerët e zhvillimit. “Kjo është një sfidë jo vetëm e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, por e gjithë shoqërisë shqiptare”, theksoi Spahiu.
