
Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, ka bërë thirrje për bashkimin e të gjithë faktorëve opozitarë në mbështetje të protestave të studentëve, duke kundërshtuar çdo përpjekje për të vendosur kufizime se kush duhet apo nuk duhet të jetë pjesë e tyre. Në një intervistë për News24, Baçi deklaroi se kërkesat e studentëve janë të njëjta me ato që Partia Demokratike ka artikuluar prej vitesh.
“Në qoftë se nuk e duan, kur të vijnë zgjedhjet nuk e votojnë dhe, po nuk e votuan, nuk bëhet kryeministër”, u shpreh Baçi. Deputeti sqaroi se qëndrimi i PD-së nuk lidhet me kundërshtimin e Edi Ramës si kryetar i Partisë Socialiste, por me vazhdimin e tij në krye të qeverisë dhe kontrollin që sipas opozitës, ushtron mbi institucionet shtetërore.
“Ne nuk themi që nuk bëjmë zgjedhje me Ramën kryetar të Partisë Socialiste. Ne themi nuk bëhen zgjedhje me Ramën kryeministër, që ka në dorë gjithë shtetin, ka në dorë gjithë pushtetin, ka në dorë të gjitha hallkat e këtij shteti”, deklaroi ai. Sa i përket mënyrës se si duhet të largohet kryeministri, Baçi kërkoi një front të përbashkët opozitar, pa kushte dhe pa përjashtime. Ai theksoi se synimi nuk duhet të jetë marrja e menjëhershme e pushtetit nga PD-ja, por krijimi i një qeverie kujdestare që do të përgatisë zgjedhjet e reja.
“Të gjithë faktorët opozitarë, pa përjashtim, pa vendosur kushte, bashkim pa asnjë kusht, të gjithë në shesh për rrëzimin e Ramës”, tha Baçi. Sipas tij, pas largimit të Ramës, parlamenti duhet të krijojë një qeveri me mandat të përcaktuar, e cila do të ketë si detyra kryesore ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe depolitizimin e administratës publike. Baçi argumentoi se organizimi i zgjedhjeve nën qeverisjen aktuale nuk do të garantonte, sipas tij, konkurrencë të barabartë mes palëve, pasi mekanizmat shtetërorë do të mbeteshin nën kontrollin e mazhorancës.
Mes alternativave që mund të shqyrtohen, ai përmendi sistemin proporcional kombëtar ose rajonal me lista 100 për qind të hapura, duke sjellë në vëmendje edhe modelin e Kosovës. “Pothuajse pjesa dërrmuese e kolegëve, deputetëve të Partisë Demokratike, është për ndryshimin e Kodit Zgjedhor për t’iu përgjigjur kërkesës së studentëve, edhe pse është në dëm të Partisë Demokratike”, përfundoi Baçi.
