Shpërthimi tragjik në Elbasan, që u mori jetën dy personave dhe la 10 të tjerë të plagosur, ka rikthyer debatin mbi sigurinë në pallatet e banimit dhe rrezikun që vjen nga përdorimi i bombolave të gazit. Inxhinieri i ndërtimit, Erion Softa kërkon masa urgjente, duke propozuar ndryshimin e kuadrit ligjor dhe kufizimin, deri në ndalimin e përdorimit të tyre në ndërtesat e banimit.
Sipas inxhinierit, në rastin e pallatit pesëkatësh në Elbasan, dëmtimet nuk kanë ardhur si pasojë e ndërhyrjeve në strukturën e objektit, por nga një pakujdesi që duhet të shërbejë si kambanë alarmi. “Objektet nuk janë ndërtuar për të mbajtur shpërthime të tilla. Nuk kemi të bëjmë me dëmtimin e strukturës së pallatit për shkak të ndërhyrjes, por për shkak të një pakujdesie që duhet të marrë një zgjidhje”, deklaroi Softa.
Ai kërkoi që bombolat e gazit të mos tregtohen dhe përdoren pa kritere të rrepta sigurie, duke theksuar se një nga zgjidhjet është ndalimi i tyre në pallate ose vendosja e një protokolli të detyrueshëm për përdorimin. “Bombolat e gazit nuk mund të shiten normalisht, nuk mund të përdoren në ambiente të përbashkëta. Duhet të ndalohet përdorimi i tyre në objekte të tilla ose të vendoset një protokoll i qartë që ngjarje të tilla të mos ndodhin më”, theksoi inxhinieri.
Softa nënvizoi gjithashtu përgjegjësinë e tregtarëve dhe përdoruesve. Sipas tij, në treg duhet të qarkullojnë vetëm bombola të certifikuara, ndërsa instalimi dhe mënyra e përdorimit duhet të kontrollohen në vend nga persona kompetentë. “Bombolat e gazit duhet të largohen nga përdorimi. Ata persona që i tregtojnë duhet t’i kenë të certifikuara dhe përdoruesit duhet t’i nënshtrohen një verifikimi në vend për mënyrën si përdoret”, u shpreh ai.
Për të ilustruar rrezikun që paraqesin këto bombola, inxhinieri bëri edhe një krahasim tronditës me lëndët shpërthyese, duke paralajmëruar për pasojat që mund të ketë një incident i tillë në një godinë banimi. “Një bombol e tillë ka të njëjtin efekt me disa kilogramë tritol”, deklaroi Erion Softa.
