
Një postim i moderatorit Ledion Liço në rrjetet sociale, me fjalinë “Thonë se ju ka marrë malli”, ka mjaftuar për të ndezur edhe më shumë kureshtjen e fansave rreth edicionit të ri të Big Brother VIP Albania. Mesazhi është interpretuar si një sinjal se përgatitjet për sezonin e ri mund të jenë duke marrë formë, megjithatë ende nuk ka një datë zyrtare të konfirmuar për nisjen e spektaklit. Për këtë temë u diskutua edhe në në pjesën e dytë të emisionit “Ftesë në 5”, me moderatoren Bieta Sulo, ku të ftuarit ndanë pritshmëritë e tyre, hamendësimet për emrat që mund të bëhen pjesë e shtëpisë dhe disa ide për mënyrën se si mund të vijë ky edicion.
Në studio u komentua gjithashtu mundësia e rikthimit të Arbër Hajdarit në rolin e opinionistit. Madje, gjatë bisedës u përmend edhe fakti se ai është ngacmuar nga vetë Ledioni për këtë çështje. Në listën e përmendur ishin: Bujar Qamili, Mira Konçi, Robert Berisha, Viola Spiro, Deta Kokomani, Fero. E pyetur se cilët prej tyre do të ishin më interesantë për këtë format, Desjana Rapaj veçoi dy emra. “Më interesantë për mendimin tim do të ishin Fero dhe Bujari. Bujar Qamili po dhe po, por dhe Fero do ishte një prurje e mirë.”, u shpreh ajo.
Një nga momentet më pikante të diskutimit ishte ai për Robert Berishën. “Te Roberti nuk po futem shumë, se Roberti është vetëm si të bëj si i bukur ashtu. Hajde, mirupafshim!”, u shpreh Desjana. Biseda vijoi me komente për pamjen e jashtme të këngëtarit, duke sjellë edhe një batutë që shkaktoi të qeshura:
“Gjyshja ime më ka thënë: Bashkëshorti duhet të jetë pak më i bukur se majmuni”. Një prej opinioneve më të forta në studio ishte ai se pjesa më e madhe e personazheve të përmendur mund të mos arrijnë të rezistojnë gjatë në shtëpinë e Big Brother. “Unë do të thoja kështu: 80% prej atyre dalin javën e parë, maksimumi të dytën, mos më bëj të vendos gishtat. Bujari nuk e mban atë izolimin. Kur hyn brenda ka një tjetër atmosferë aty.”, u shpreh Ardi.
Ndërsa për Mira Konçin u diskutua se mosha dhe angazhimet familjare mund ta bënin më të vështirë përballimin e një eksperience të tillë. Megjithatë, ky mendim u kundërshtua nga të tjerë në studio, të cilët theksuan se mosha nuk duhet të jetë domosdoshmërish një pengesë për të qenë pjesë e formatit. “Po pse moshën e shihni? Mund të varet nga aftësia, nga ambicia, nga tipi, çfarë karakteri ke?”, ishte kundërargumenti nga Oksana. Dy emra të tjerë që u komentuan ishin Viola Spiro dhe Deta Kokomani. Për to u diskutua kryesisht dinamika që mund të krijohej nëse dy personazhe me profile të ndryshme do të përballeshin me të njëjtën eksperiencë.
