Gazetari Elton Tozaj ka denoncuar një tjetër sulm fizik ndaj tij, pasditen e kësaj të enjteje. Ai ka publikuar në rrjetet sociale një fotografi ku shfaqet me rroba të gjakosura dhe i fashuar, ndërsa paralajmëron personat që qëndrojnë pas ngjarjes se do të përballen me pasojat.
“Kushdo që e bëri këtë, do ta paguajë shumë shtrenjtë! Nuk më ndalni dot”, shkruan Tozaj në postimin e tij.
Rrethanat e sulmit të fundit mbeten ende të paqarta. Ngjarja vjen në një periudhë kur gazetari ka qenë në qendër të vëmendjes për shkak të disa denoncimeve dhe pretendimeve të bëra publike prej tij, që përfshijnë personazhe të njohur të showbiz-it shqiptar dhe zyrtarë publikë.
Ky nuk është sulmi i parë fizik ndaj Tozajt. Më 26 dhjetor, ai u dhunua në autostradën Tiranë-Durrës nga disa persona, të cilët, pasi e goditën, e lanë pa ndjenja në anë të rrugës.
Pas asaj ngjarjeje, gazetari tregoi se ishte takuar me dy persona që i njihte, pa e ditur se takimi do të përfundonte në dhunë. Ai deklaroi se nuk mbante mend asgjë nga momenti i goditjeve, pasi kishte humbur ndjenjat. Në atë kohë, Tozaj pretendoi se sulmi kishte lidhje me një vajzë të njohur të showbiz-it shqiptar, por nuk e bëri publik emrin e saj.

Denoncimet ndaj personazheve publikë
Muajt e fundit, Tozaj ka publikuar disa denoncime që kanë tërhequr vëmendjen e publikut. Një prej tyre lidhet me kompozitorin Adrian Hila, për të cilin gazetari publikoi materiale që, sipas tij, tregonin momente intime të filmuara në zyrën e kompozitorit me vajza dhe gra të njohura të showbiz-it, mes tyre aktorja Monika Lubonja dhe këngëtarja Eli Fara.
Po ashtu, gazetari ka ngritur akuza ndaj kryetarit të Bashkisë së Kolonjës, Erion Isai. Ai pretendon se Isai ka kërkuar favore seksuale nga punonjës meshkuj të bashkisë dhe se ka pasur komunikime intime me persona të tjerë.
Në deklaratat e tij publike, Tozaj ka thënë se është kërcënuar përmes personave të tretë dhe se i janë ofruar para në këmbim të heshtjes. Ai ka pretenduar gjithashtu se kryebashkiaku e kishte ftuar në banesën e tij dhe i kishte dërguar fotografi intime.
Në vijim të këtyre pretendimeve, gazetari publikoi edhe pamje të bisedave private, të cilat pretendon se i përkasin Erion Isait. Në fotografitë e publikuara shfaqet një profil me emrin e kryebashkiakut dhe mesazhe me përmbajtje flirtuese e intime.
Tozaj ka bërë gjithashtu akuza ndaj personazheve të tjerë publikë, përfshirë ministra dhe zëvendësministra, duke pretenduar se kanë marrëdhënie intime me burra.
Deklarata e plotë e Elton Tozajt për Erion Isain:
“Kryetari i Bashkisë Kolonjë, që quhet Erion Isai, jemi që jemi, po e, po e themi, kërkon favore seksuale. Ky i kërkon favore, ka lidhje dhe me punonjës, edhe këtë duhet ta keni parasysh. Punonjës meshkuj. Nuk dua t’i përmend emrat. Absolutisht. I di dhe emrat. I di dhe drejtorët që janë, që shkojnë dhe falen. I di të tëra. Pak më parë, ti djali që më more në telefon dhe më the që: ‘ki kujdes, prano lekët se ti nuk e ke idenë se kë ka mbrapa ai’.
Kë ka mbrapa ai. Kush janë të fortët e Kolonjës apo të Tiranës, apo të Korçës që ti, zotëri, more përsipër të m’i thuash mua. Kush janë këta? Erion Isai, kush janë këta që ti zotëri, i vë për të më kërcënuar mua, për të më blerë mua?
Pse ti Erion Isai, ngacmon seksualisht djemtë? Ti e di shumë mirë. Shtëpia e tua në Kolonjë, ti më ke ftuar dhe mua, mos e harro këtë gjë, pavarësisht se s’erdha kurrë. Më ke çuar dhe foto, patjetër. Më ke çuar dhe bthet foton. Patjetër. I kam të, të tëra. Absolutisht. Kam çdo gjënë. Po e di kush ishte më e rendë kur ke dërguar gruan?! Ajo ishte akoma, domethënë perversiteti juaj ka arritur në pika që ju nuk e kontrolloni dot më perversitetin tuaj. Ju nuk dini se çfarë është perversiteti. Ju i keni kaluar kufijtë, ju i keni kaluar normat. Ju jeni kthyer në njerëz këllira. Ju jeni kthyer të gjithë bndra. Është e tmerrshme si një kryetar bashkie, e tmerrshme si një kryetar bashkie, fytyra e një qyteti të bukur si Kolonja, e një zone fantastike si Kolonja, të përfundojë në këtë farë feje”.


