
Ndihmës-Prokurorja e Përgjithshme për të Drejtat Civile, Harmeet Dhillon, flet në Departamentin e Drejtësisë në Uashington, D.C., SHBA, më 7 gusht 2025
Zyrtarja e lartë e Departamentit amerikan të Drejtësisë, Harmeet Dhillon, e cila drejtonte Divizionin për të Drejtat Civile dhe mbikëqyrte hetimet ndaj universiteteve, listave të votuesve dhe rasteve të dyshuara të shkeljes së lirisë fetare, ka dhënë dorëheqjen, njoftoi të enjten Prokurori i Përgjithshëm Todd Blanche.
Dhillon është një nga zyrtarët e parë të nivelit të lartë që largohet nga administrata e presidentit Donald Trump pas humbjes së Partisë Republikane në zgjedhjet e mesmandatit të së martës, të cilat u mundësuan demokratëve të rimarrin kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit.
“Ajo ka mbrojtur liritë civile të çdo amerikani dhe ka zbatuar ligjin pa frikë dhe pa favorizuar askënd”, tha Blanche.
Dhillon, një aleate e Trump, drejtoi një riorganizim të gjerë të Divizionit për të Drejtat Civile në Departamentin e Drejtësisë, duke zhvendosur fokusin e tij nga lufta kundër diskriminimit ndaj pakicave racore dhe hetimi i policive lokale, drejt prioriteteve të Trump, si mbrojtja e të drejtës për armëmbajtje dhe lufta kundër antisemitizmit në kampuset universitare. Dhillon luajti një rol kryesor në hetimet e administratës Trump ndaj universiteteve elitare amerikane, shkruan Reuters.
Dhillon i kishte thënë më parë Bloomberg Law se, pas largimit nga Departamenti i Drejtësisë, dëshironte të rikthehej në studion e saj ligjore, The Dhillon Law Group. Së fundmi, kjo studio kishte zvogëluar aktivitetin, pasi disa avokatë ishin larguar për t’u bashkuar me praktika të tjera ligjore.
Dy persona të njohur me çështjen thanë se Dhillon ishte e pakënaqur që ishte anashkaluar në proceset e ngritjes në detyrë brenda departamentit dhe dëshironte të rikthehej në studion e saj për ta rigjallëruar atë.
Riorganizimi i prioriteteve të divizionit nga Dhillon shkaktoi largimin masiv të punonjësve me karrierë të gjatë në administratë. Ajo e kishte mirëpritur publikisht këtë largim, duke argumentuar se avokatët e këtij institucioni ndiqnin prioritete liberale dhe nuk ishin të gatshëm të zbatonin agjendën e Trump.
Gjatë administratave të mëparshme, ky divizion kishte zhvilluar hetime ndaj departamenteve të policisë të akuzuara për shkelje sistematike të të drejtave civile, përfshirë rastet pas vrasjeve të bujshme të personave me ngjyrë nga policia lokale.
Dhillon tërhoqi përfundimet e mëparshme të disa prej këtyre hetimeve dhe përdori kompetencat e divizionit për të hetuar nëse disa qytete të drejtuara nga demokratët kishin shkelur të drejtën e qytetarëve për të mbajtur armë, të garantuar nga Amendamenti i Dytë i Kushtetutës së SHBA-së.