Media italiane: Trafik ndërkombëtar kokaine, mbi 14 milionë euro të pastruara dhe të transferuara në Shqipëri me flori

5 Nëntor 2026 | 22:17

Dy kompani në Milano dhe Lecco janë vënë në shënjestër të autoriteteve italiane të antimafias, nën dyshimin për pastrim parash që rridhnin nga trafiku ndërkombëtar i kokainës mes Italisë, Holandës, Gjermanisë dhe Shqipërisë.

Sipas hetimeve, organizata përbëhej pothuajse tërësisht nga shqiptarë, ndërsa paratë pastroheshin në Itali dhe më pas dërgoheshin në Shqipëri. Veprimtaria dyshohet se i ka sjellë organizatës kriminale mbi 14 milionë euro. Dy kompanitë janë sekuestruar.

Operacioni “Caveau 38”

Operacioni i koduar “Caveau 38”, i drejtuar nga Drejtoria e Qarkut kundër Mafias në Milano, në bashkëpunim me autoritetet shqiptare, i çoi hetuesit në gjurmët e një organizate kriminale të përbërë kryesisht nga shqiptarë.

Hetimet lidhen me trafikimin ndërkombëtar të rreth 240 kilogramëve kokainë, si dhe me grumbullimin dhe transferimin në Shqipëri të mbi 14 milionë eurove në para të gatshme.

Guardia di Finanza ka zbatuar një masë urgjente sekuestroje parandaluese ndaj dy kompanive në Lecco, që dyshohet se përdoreshin nga organizata kriminale shqiptare.

Si dyshohet se pastroheshin paratë e drogës

Sipas hetimeve, pastrimi i parave kryhej edhe përmes blerjes së shufrave të arit, me një peshë totale prej afro 8 kilogramësh. Ari blihej në Itali nga një kompani që vepronte në sektorin e përpunimit të metaleve të çmuara, me seli në Milano dhe Alessandria. Edhe kjo kompani është vendosur nën sekuestro.

Pasi pastroheshin përmes veprimtarive të tjera të ligjshme, paratë transferoheshin në Shqipëri. Kompania e dytë e sekuestruar dyshohet se shërbente si “kasafortë e grupit kriminal”, duke investuar në sektorin e pasurive të paluajtshme.

Për kompanitë e sekuestruara është caktuar një administrator gjyqësor. Në kuadër të hetimit janë nën hetim 52 persona, krahas dy kompanive, për veprime të kryera gjatë periudhës 2019–2022.

Sipas hetuesve, për organizimin e transaksioneve të veçanta të drogës dhe të parave të gatshme përdoreshin sisteme mesazhesh të enkriptuara.

Gjatë hetimeve janë sekuestruar gjithashtu mbi 1,5 milionë euro në para të gatshme dhe rreth 32 kilogramë lëndë narkotike, përfshirë kokainë, heroinë dhe marijuanë. Gjashtë persona janë arrestuar në flagrancë./Il Giorno

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Shkon në 8 numri i viktimave në Turqi, arrestohet autori i të shtënave

Autori i sulmeve të armatosura që u regjistruan këtë të enjte në provincën Afyonkarahisar të Turqisë, është vënë në pranga. Mësohet se ai u arrestua...
20:13 | 05/11/2026

BE investon 525 milionë euro për startup-et e mikroçipave, synon të ulë varësinë nga SHBA dhe Azia

Bashkimi Evropian do të investojë 525 milionë euro për të mbështetur startup-et evropiane që projektojnë mikroçipa, për të forcuar industrinë vendase dhe për të reduktuar...
20:02 | 05/11/2026

Protesta masive në Francë, rreth 600 mijë persona dalin në demonstratë

Gati 600,000 njerëz morën pjesë në demonstrata në të gjithë Francën të enjten, sipas një vlerësimi të përkohshëm nga Ministria e Brendshme, duke shënuar pjesëmarrjen...
20:00 | 05/11/2026