“Ke ardhur për sherr?”, Lapaj-Qori dhe Shehaj ironi dhe batuta për bashkimin: Ke hapur lokal

Bashkimi me një kandidat të përbashkët mes partive të reja në zgjedhjet lokale duket mjaft i vështirë.
Të ftuar në studion e “Të Paekspozuarit” të Ylli Rakipit në Vizion Plus, krerët e partive të reja, Arlind Qori i Lëvizjes Bashkë, Adriatik Lapaj i “Shqipëria Bëhet” dhe Agron Shehaj i Partisë Mundësia, lanë të kuptohet se një bashkëpunim mes tyre është i vështirë.
Nuk munguan as batutat dhe ironitë mes tyre, ku “thumbat” ishin herë drejt Lapajt dhe herë drejt Qorit.
Pjesë nga biseda:
Rakipi: Nëse del një kandidat i pavarur nga protesta, apo rasti i zotit Binaj në zgjedhjet ku nuk u bë?
Bushati: Binaj ishte i PD-së.
Lapaj: Binaj nuk ishte i PD-së.
Bushati: Ishte kandidat i PD-së.
Qori: Berisha tha: “Është kandidati ynë i pavarur”.
Rakipi: Çfarë do të bëni?
Shehaj: Mund të ndodhë si në Serbi. Ne nuk na kanë munguar modelet, na ka munguar ekzekutimi. Nëse del një kandidat nga studentët, ne jemi të hapur për bashkëpunim me një organizatë apo parti politike që mund të dalë nga studentët. Sa më shumë aktorë të pastër, të ndershëm dhe të pavarur të jenë, aq më mirë është. Kur ta nxjerrin, ta shikojmë, por nuk mund të flasim pa e ditur. Problemi është ekzekutimi, jo modeli.
Rakipi: Mund të ndodhë që të gjitha forcat politike të opozitës të bashkohen rreth një kandidati të pavarur për Tiranën, ju të garoni i vetëm dhe mund të jeni ju që i jepni fitoren Ramës?
Qori: Dua t’ju kujtoj një veçanti: ne jemi parti shumë opozitare, por edhe e majtë. Nga të gjitha të dhënat që kemi, ka një ekuivalent mes njerëzve që dikur kanë qenë votues të PD-së dhe PS-së.
Më lejoni të bëj një saktësim: nëse do të kishim një kandidat nga protesta, në momentin që i bashkohet Sali Berisha, ai është kandidat i Berishës. Do të shkojmë përsëri te eksperimenti i Binajt. Këtë të vërtetë duhet ta themi.
Mund të ketë një pyetje tjetër: ndoshta Berisha del me kandidatin e vet? Unë, ngaqë e njoh protestën në imtësitë e veta, e shoh këtë si një hipotezë të tipit “peshku në det, tigani në zjarr”.
Protesta e ka emëruesin e përbashkët rrëzimin e qeverisë, por, po erdhi puna për lista, nuk do të ketë unanimitet. Mund të ketë kandidatë nga protesta, por nuk do të ketë një kandidat të protestës, një kandidat që gëzon 90% të pëlqimit të protestës.
Në Serbi, unionet studentore, pedagogët dhe sindikatat janë më të përparuara se në Shqipëri. Fatkeqësisht, niveli i organizimit lë shumë për të dëshiruar. Shpresoj që në muajt e ardhshëm të kemi hapa të tjerë. Nëse do të kemi një kandidat të përbashkët, mua më duket iluzion.
Shehaj: Unë jam më optimist. Nuk do të thoja se nuk ka për të ndodhur. Mendoj se mund të ndodhë. Do të ishte një gjë e mirë.
Lapaj: O rrimë te parimi, ose, po bëmë kthesa, nuk janë të pranueshme. Ne kemi nisur një referendum për Paketën e Maleve dhe investimet strategjike. Zoti Shehaj dhe zoti Qori e kanë firmosur për një grup tjetër, por akuzojnë tentativat tona, ndërsa nuk e firmosin.
Shehaj: Nuk e kuptoj ku e gjen kurajon të pyesësh. Koha ka treguar se sa më pak të përfshihemi me alternativat e zotit Lapaj, aq më mirë është.
Lapaj: Në muajin dhjetor kam protestuar para Kryeministrisë, ndërsa zoti Qori thoshte se kisha hapur lokal në bulevard.
Shehaj: Do sherr me çdo kusht. E pyette ti përpara se të dilje?
Lapaj: Po këta në shesh kanë hapur ndonjë lokal?
Qori: Po ata nuk rrinë me batanije.




