Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Politikat e energjisë, vërejtjet e Raportit të Progresit - KONFRONT

“Mbajëm për fjale”, Mjekiqi: Kjo politikë për KEK-un do e çojë në mbyllje atë

5 o. më parë / 5 nën 2026 21:40
Rasim Mjekiqi

Eksperti i fushës së energjisë, Rasim Mjekiqi e ka quajtuar gabim subvencionimin e pompave termike nga Qeveria e Kosovë. Ai ka shpjeguar se termoelektranet me qymyr, energjinë termike e shndërrojnë në energji elektrike dhe siç ka thënë – pompat termike janë e kundërta e kësaj.

Mjekiqi në emisionin “Konfront” në KTV, ka thënë se projekti i konegjerimit ka qenë shumë i leverdishëm për ekonominë e Kosovës porse politikat që po zhvillohen me KEK-un janë plotësisht të gabuara.

Sipas tij nëse vazhdohet kësisoj, KEK-u do të mbyllet.

“Projekti i konegjerimit nuk është zgjeruar ose për shkak të mjeteve ose për shkak të neglizhencës sonë. Projekti i konegjerimit është shumë i leverdishëm për ekonominë e Kosovës dhe për KEK-un. Për ngrohje që shkon energjia KEK-u nuk paguhet asnjë cent, e jep avullin për Termokosin por nuk paguhet. Me rregull 1 kW i energjisë termike në ngrohtore duhet të kushtojë 6.5 herë më lirë se energjia elektrike, sepse po humbin. Mbajëm për fjale, nëse nuk vazhdon kjo politikë për KEK-un, ai do të mbyllet. KEK-u është prodhues gjigant në rajon dhe po duam ta mbyllim”, ka thënë Mjekiqi.

Sa i përket subevencionimit të pompave termike, ai e ka quajtur veprim të Qeverisë së Kosovës që është duartrokitur nga të gjithë por që ka qenë gabim trashanik.

Sipas Mjekiqit ajo vetëm sa e ka rritur konsumin e energjisë elektrike sepse çdo konvertim është humbje.

“Pse të investojë Qeveria e Kosovës në izolimin e shtëpisë. Të gjithë e kemi duartrokitur subvencionimin e pompave termike por asgjë nuk kemi bërë me të, përveç që e kemi rritur konsumin e energjisë elektrike. Në rastin e Kosovës energjia prodhohet 90% prej termoelektraneve. Është gabim trashanik subvencionimi i pompave termike. Termoelektranet e Kosovës sot prodhojnë 700-800 MW energji elektrike mesatarisht. Termoelektranet me qymyr janë proces që energjinë termike e shndërrojnë në energji elektrike. Pompat termike janë proces i kundërt i kësaj. Çdo konvertim është humbje. Në këtë rast humb Qeveria që po e subvencionon energjinë elektrike dhe po humb KEK-u”, ka thënë Mjekiqi.

Haxha: Blloku A është dashur moti të mbyllet, duam t’ia nxjerrim yndyrën me remonte

5 o. më parë / 5 nën 2026 20:52
Uran Haxha

Gazetari i Kosovo 2.0, Uran Haxha, ka vlerësuar se Blloku A i Termocentralit Kosova A do të duhej të mbyllej prej kohësh, por Kosova po vazhdon të investojë në riparimin e tij përmes remonteve në vend që të krijojë kapacitete të reja gjeneruese të energjisë elektrike.

Të enjten në “Konfront” të KTV-së, Haxha ka përmendur edhe kujdesin që duhet ta kenë qytetarët në shpenzimin e energjisë elektrike.

“Blloku A është dashur moti të mbyllej e të dekomisionohej, por realisht ne jemi duke dashur t’ia nxjerrim yndyrën edhe më shumë me remonte”, është shprehur ai. 

Sipas tij, Kosova ka konsumin më të lartë të energjisë elektrike për kokë banori në Evropë. Kjo, siç ka shpjeguar ai, lidhet kryesisht me përdorimin e energjisë elektrike për ngrohje gjatë dimrit, por vitet e fundit edhe për ftohje gjatë verës.

“Kosova e ka shpenzimin për kokë banori më të lartën në Evropë të energjisë elektrike. Pra, ne shpenzojmë për kokë banori më së shumti në Evropë. Kjo vjen për shkak të ngrohjes gjatë dimrit, por tani ka filluar edhe për shkak të ftohjes gjatë verës”, ka theksuar Haxha.

Duke përmendur raportin e Komisionit Evropian, Haxha ka thënë se një nga problemet që identifikohen në sektorin energjetik të Kosovës është përqendrimi në riparimin e termocentraleve të vjetra, pa investime të mjaftueshme në kapacitete të reja prodhuese.

Sipas Haxhës, kjo qasje po e mban Kosovën të varur nga linjiti, përkatësisht qymyri, i cili përbën rreth 90 për qind të prodhimit të energjisë elektrike në vend.

Ai ka theksuar se mungesa e kapaciteteve të reja gjeneruese dhe varësia nga termocentralet ekzistuese bëjnë që Kosova, krahas prodhimit vendor, të ketë nevojë edhe për import të energjisë elektrike.

“Kosova nuk është se ka pasur ndonjë përparim shumë të madh në zhvillimin e kapaciteteve të reja gjeneruese të energjisë elektrike. Dua të ndalem pak te raporti i Komisionit Evropian. Ajo çka ka identifikuar është që Kosova është duke u marrë me riparim të termocentraleve të vjetra, mirëpo nuk po ndërton kapacitete të reja për të ulur varësinë prej linjitit, pra qymyrit që ne e kemi si bazë kryesore diku 90% të gjenerimit të energjisë elektrike. E si rrjedhojë më pas duhet ta plotësojmë edhe me import”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë për subvencionimin e energjisë elektrike, Haxha ka thënë se është bërë padrejtësi sociale me mënyrën se si është realizuar kjo. 

“Unë mendoj se ishte padrejtësi e madhe sociale se kush është përkrahur. E rëndësishme është për shtetin që njerëzit ta kalojnë dimrin në kushte të mirëqena. Me pas vendin ku jetojnë të nxehtë. Është parësore, që duhej të mendonte dikush që çohet mëngjes e paguhet për me mendu për ne”, tha Haxha. 
 

Mjekiqi: I lutem Zotit që të mos jetë dimër i vështirë se do të kemi problem me energjinë

6 o. më parë / 5 nën 2026 20:40
Rasim Mjekiqi

Situata me energjinë elektrike është përmendur edhe në Raportin e Progresit për Kosovën ku është potencuar se nuk ka pasur investime të mjaftueshme në kë të fushë.

Për këtë, eksperti i fushës së energjisë, Rasim Mjekiqi ka thënë se uron që të këtë vit të mos jetë dimër i vështirë sepse përndryshe qytetarët e vendit do të kenë problem sërish me energjinë elektrike.

Ai në emisionin “Konfront” në KTV është shprehur se energjia elektrike është vitale për një shtet, pasi lidhet drejtpërdrejt me zhvillimin ekonomik.

“Si do ta kemi dimrin nuk e di por në një mënyrë i lutem Zotit që mos të jetë dimri i vështirë. Nëse ky dimër vetëm 20-30 ditë merr dimër i vështirë atëherë ne do të kemi problem të madh me përdorimin e energjisë elektrike. Ne verës nuk e kemi problemin e energjisë elektrike sepse nuk kemi shpenzim për ngrohjen qendrore. Ngrohja qendrore është problemi kryesor gjatë dimrit pse ne e kemi këtë ngulfatje”, ka thënë Mjekiqi.

Shqetësuese në Raportin e Progresit është pasqyruar gjendja në fushën e energjisë, ku ka pasur progres vetëm të limituar dhe kjo, sipas Komisionit Evropian, vazhdon të jetë pengesë e madhe për rritjen ekonomike të Kosovës.