Tronditet bursa e Nju Jorkut/ Wall Street përjeton një nga ditët më të këqija, fshihen 3.2 trilionë dollarë nga tregu
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se një marrëveshje e gjerë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë mund të përfshijë jo vetëm Kievin dhe Moskën, por edhe gjithë Evropën.
Ai u shfaq optimist për mundësinë e një zgjidhjeje diplomatike, duke thënë se konflikti mund të jetë pranë fundit.
Deklaratat e Trump vijnë pasi ai konfirmoi se të enjten u takua në Shtëpinë e Bardhë me Kirill Dmitriev, të dërguarin special të presidentit rus, Vladimir Putin. Kreu i Shtëpisë së Bardhë nuk dha detaje mbi përmbajtjen e bisedimeve, por theksoi se një marrëveshje e mundshme do të ishte shumë më e gjerë se sa një zgjidhje vetëm për Ukrainën.
“Do të ketë një marrëveshje. Do të jetë një marrëveshje e madhe dhe do të përfshijë më shumë sesa vetëm Ukrainën. Madje mund të them se mund të përfshijë të gjithë Evropën. Do të jetë një marrëveshje e madhe, shumë e mirë dhe të gjithë do të jenë të emocionuar”, deklaroi Trump për gazetarët.
Një tjetër zhvillim që ka tërhequr vëmendjen është fakti se presidenti amerikan nuk zhvilloi takim me përfaqësuesit ukrainas, të cilët ndodheshin gjithashtu në Shtëpinë e Bardhë për një aktivitet të Zonjës së Parë, Melania Trump.
Ndërkohë, javën e ardhshme pritet të zhvillohen në Abu Dhabi bisedimet e para trepalëshe mes delegacioneve të Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Ukrainës që nga shkurti. Në qendër të diskutimeve pritet të jenë kushtet për përfundimin e luftës dhe garancitë e sigurisë për Kievin.
Paralelisht me takimin në Uashington, përfaqësues amerikanë, ukrainas dhe evropianë zhvilluan konsultime në selinë e NATO-s në Bruksel. Në këto diskutime mori pjesë edhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan, i cili i cilësoi bisedimet si produktive.
Kushner bëri të ditur se diskutimet u përqendruan te garancitë e sigurisë për Ukrainën dhe krijimi i një sistemi më të gjerë të sigurisë evropiane.
“Ne po punojmë intensivisht me të gjitha palët për të gjetur zgjidhje praktike që mund t’i japin fund kësaj lufte dhe të krijojnë bazën për një paqe të qëndrueshme”, u shpreh ai.
Megjithatë, ende nuk është e qartë se çfarë përfshin konkretisht marrëveshja e përmendur nga Trump dhe nëse ajo do të parashikojë ndryshime në marrëdhëniet mes Rusisë dhe NATO-s apo garanci të reja për sigurinë e vendeve evropiane.
Gjatë aktivitetit në Shtëpinë e Bardhë, ku ishte i pranishëm edhe i dërguari rus Kirill Dmitriev, u diskutua edhe armëpushimi gjashtëditor në qytetin Oleski, në rajonin Kherson të Ukrainës.
Armëpushimi, i zbatuar nga 27 tetori deri më 1 nëntor, kishte si qëllim mundësimin e ndihmës humanitare dhe evakuimin e civilëve nga zona e kontrolluar nga forcat ruse.
Sipas Melania Trump, gjatë këtij operacioni u evakuuan afro 800 banorë. Ajo tha se kishte ndërhyrë për të nisur kontaktet me palët pas informacioneve mbi përkeqësimin e situatës humanitare në qytet.
Dmitriev falënderoi Zonjën e Parë amerikane për rolin e saj, duke përcjellë edhe mirënjohjen e Vladimir Putinit. Sipas tij, presidenti rus kishte dhënë personalisht udhëzimet për operacionin.
Në aktivitet morën pjesë edhe përfaqësues ukrainas, mes tyre David Arakhamia, kreu i grupit parlamentar të partisë së Volodymyr Zelensky, dhe komisioneri ukrainas për të Drejtat e Njeriut, Dmytro Lubynets.
Nga ana e tij, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kishte vlerësuar armëpushimin, duke theksuar se ndalimi i luftimeve për disa ditë kishte shpëtuar qindra jetë.
Melania Trump shprehu shpresën se kjo nismë do të shërbejë si pikënisje për marrëveshje më të gjera dhe një paqe të qëndrueshme.
Vëmendja diplomatike tashmë është përqendruar te takimi i pritshëm në Abu Dhabi, ku përfaqësuesit e Uashingtonit, Moskës dhe Kievit do të diskutojnë mundësitë për t’i dhënë fund konfliktit.
Një prej çështjeve kryesore mbetet siguria e Ukrainës pas përfundimit të luftës, si dhe roli që do të kenë aleatët evropianë në garantimin e një marrëveshjeje të mundshme.
Deri tani, Trump nuk ka dhënë detaje konkrete mbi propozimin që përmendi, ndërsa mbetet për t’u parë nëse optimizmi i tij do të përkthehet në hapa konkretë drejt një marrëveshjeje mes Rusisë dhe Ukrainës.
Top Channel