Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se është duke u përgatitur një marrëveshje e madhe me Rusinë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, duke lënë të hapur mundësinë që ajo të përfshijë edhe vendet e tjera evropiane.
Trump i bëri këto komente të enjten, pas një takimi të paparalajmëruar në Shtëpinë e Bardhë me të dërguarin special të presidentit rus, Vladimir Putin, Kirill Dmitriev.
Duke folur para gazetarëve në Zyrën Ovale, presidenti amerikan tha se konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës është shumë afër zgjidhjes, por nuk dha detaje për përmbajtjen e bisedimeve.
“Nuk mund t’ju tregoj se çfarë diskutuam. Por po ju them se do të ketë një marrëveshje, do të jetë një marrëveshje e madhe. Do të jetë shumë e madhe. Do të përfshijë më shumë sesa Ukrainën, madje mund të them se mund të përfshijë gjithë Evropën. Do të jetë një marrëveshje e madhe, e bukur dhe të gjithë do të jenë të kënaqur”, deklaroi Trump, shkruan DW.
Ai tha se nuk kishte zhvilluar takim me zyrtarët ukrainas, të cilët po ashtu ndodheshin të enjten në Shtëpinë e Bardhë.
Ndërkohë, dhëndri i Trumpit dhe i dërguari amerikan, Jared Kushner, bëri të ditur se Shtetet e Bashkuara, NATO-ja dhe partnerët evropianë kishin zhvilluar diskutime produktive dhe përmbajtjesore lidhur me përfundimin e luftës në Ukrainë.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Kushner tha se synimi është adresimi i shqetësimeve të sigurisë të të gjitha palëve përmes marrëveshjeve praktike dhe të dakorduara, të cilat do të zvogëlonin rrezikun e konflikteve të ardhshme.
Ai njoftoi gjithashtu se javën e ardhshme në Abu Dhabi pritet të zhvillohen diskutime ku do të përfshihen përfaqësues të Kievit dhe Moskës.
Trump edhe më parë ka premtuar disa herë se do t’i japë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, përfshirë zotimin e tij të famshëm se do ta përfundonte atë brenda një dite pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë. Megjithatë, deri më tani nuk është arritur një zgjidhje për konfliktin.
Në anën tjetër, delegacione nga Rusia dhe Ukraina ishin të enjten në Shtëpinë e Bardhë në një aktivitet ku u vlerësua roli i zonjës së parë amerikane, Melania Trump, në ndërmjetësimin e armëpushimit të fundit në qytetin e Oleshky-t, në Ukrainë.
I dërguari rus, Kirill Dmitriev, e falënderoi Melanian për rolin e saj humanitar në sigurimin e armëpushimit gjashtëditor, duke shtuar se presidenti rus, Vladimir Putin, kishte dhënë personalisht udhëzime në kuadër të këtij operacioni.
Edhe përfaqësuesit ukrainas vlerësuan angazhimin e saj. Davyd Arakhamia, kreu i grupit parlamentar të partisë së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, i kërkoi Melanias që të vazhdojë angazhimin për uljen e tensioneve dhe ndihmën ndaj popullit ukrainas.