Një ngjarje tragjike ka tronditur Kanadanë, ku një nënë 48-vjeçare dhe vajza e saj 20-vjeçare kanë humbur jetën pas një sulmi nga një ose më shumë arinj grizli, teksa po shëtisnin në një zonë pyjore. Trupat e tyre u gjetën në ditë të ndryshme në një shteg pranë Bella Coola, në provincën British Columbia, ndërsa autoritetet kanë nisur kërkimet për kafshën ose kafshët e përfshira në sulm.
Viktimat janë identifikuar si Jennifer Barkas, 48 vjeçe, dhe vajza e saj, Sela Reed, 20 vjeçe. Ato ishin raportuar të zhdukura të dielën, më 1 nëntor, ndërsa trupi i parë u gjet të hënën, më 2 nëntor, në shtegun Snuka West. Një ditë më vonë, autoritetet zbuluan edhe trupin e dytë. Sipas raportimeve të CBC, dy trupat u gjetën rreth 150 metra larg njëri-tjetrit. Megjithatë, ende nuk është përcaktuar nëse sulmi është kryer nga një ari i vetëm apo nga disa arinj grizli. Studiuesi Jeff Tyre, në një deklaratë për mediat të mërkurën, tha se autoritetet po punojnë për të identifikuar dhe kapur kafshën përgjegjëse për sulmin.
Mom and daughter killed in suspected bear attack on ‘casual walk’ minutes from home https://t.co/fLMHYRsYQ8 https://t.co/b1qgqQkZkQ
— New York Post (@nypost) November 4, 2026
Ai paralajmëroi se çdo ari që kapet do t’i nënshtrohet një vlerësimi nga autoritetet dhe, nëse konfirmohet se ka marrë pjesë në sulmin fatal, do të kryhet eutanazia e tij, në përputhje me udhëzimet provinciale për menaxhimin e konflikteve mes njerëzve dhe kafshëve të egra. Sipas Tyre, në Luginën Bella Coola jetojnë shumë arinj grizli dhe ka pasur raportime të mëparshme për shikimin e tyre në zonën përreth. Megjithatë, gjatë natës së parë të kërkimeve, asnjë prej kafshëve nuk ishte kapur.
Autoritetet kanë bërë të ditur se po zhvillohet një hetim i plotë për të përcaktuar rrethanat e sakta të tragjedisë. Vëllai i Jennifer, Josh Barkas, i tha më herët CBC-së se motra dhe mbesa e tij e njihnin mirë shtegun ku ndodhi sulmi. Ai e përshkroi daljen e tyre në natyrë si një shëtitje të zakonshme dhe të qetë. Jennifer punonte si terapiste arti në Bella Coola dhe ishte nënë e katër fëmijëve. Ajo ishte zhvendosur së fundmi në këtë zonë për të nisur një kapitull të ri në jetën e saj dhe për të ndjekur një rrugë të re profesionale.
Ndërkohë, Sela, vetëm 20 vjeçe, po studionte përmes programit të arsimit online të Universitetit Athabasca. Të afërmit e saj e përshkruajnë si një vajzë të ëmbël, të qetë dhe me një shpirt të mirë. “Sela ishte vetëm 20 vjeç dhe e kishte gjithë jetën përpara. Ajo sapo kishte nisur rrugëtimin e saj drejt moshës madhore, gjë që e bën këtë humbje edhe më të dhimbshme”, thuhet në mesazhin e familjarëve. Pas tragjedisë, të afërmit kanë hapur një fushatë në platformën GoFundMe për të ndihmuar familjen me shpenzimet e papritura të funeralit dhe organizimin e ceremonive mortore për të dyja viktimat. Fushata ka mbledhur më shumë se 25 mijë dollarë, ndërsa familjarët shprehen se askush nuk mund ta kishte imagjinuar një humbje të tillë.
Fears mum, 48, & daughter, 20, were killed ‘by multiple grizzly bears’ on walk https://t.co/A8SqqFUNS4
— The Irish Sun (@IrishSunOnline) November 5, 2026
