Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka mohuar raportimet se po shqyrton largimin nga administrata e Donald Trump për t’u përgatitur për një kandidaturë të mundshme në zgjedhjet presidenciale të vitit 2028.
Në një intervistë për New York Times, të zhvilluar të enjten, më 5 nëntor, Rubio deklaroi se synimi i tij ka qenë gjithmonë të qëndrojë në detyrë deri në përfundimin e mandatit të presidentit Trump.
Ai hodhi poshtë informacionet për një dorëheqje të mundshme, duke thënë se nuk e di nga kanë ardhur këto raportime.
Deklaratat vijnë pas një raportimi të Bloomberg, sipas të cilit Rubio kishte diskutuar me zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë mundësinë e largimit nga qeveria për të nisur përgatitjet për zgjedhjet e vitit 2028. Megjithatë, agjencia raportonte se nuk ishte marrë ende një vendim përfundimtar.
Raportimi u kundërshtua edhe nga Dylan Johnson, nënsekretari amerikan i Shtetit për Diplomacinë Publike, i cili e cilësoi lajmin si të sajuar.
I pyetur për ambiciet e tij politike dhe mundësinë e kandidimit në vitin 2028, Rubio shmangu komentet, duke deklaruar: “Nuk do të flas më për vitin 2028”.
Megjithatë, ai përsëriti mbështetjen për zëvendëspresidentin J.D. Vance, duke e cilësuar atë si një mik shumë të mirë dhe duke thënë se do ta mbështeste nëse vendos të kandidojë për president.
Rubio, i cili përveç drejtimit të Departamentit të Shtetit ushtron edhe funksionin e këshilltarit për Sigurinë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, mbetet një nga emrat që përmenden në diskutimet për të ardhmen politike të republikanëve pas presidencës Trump.
Debati për të ardhmen e tij u intensifikua pas humbjes së republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit të 3 nëntorit, të cilat ndryshuan ekuilibrat politikë në Kongres.
Për momentin, Rubio këmbëngul se prioriteti i tij është të vazhdojë punën në administratën Trump, ndërsa nuk ka bërë asnjë deklaratë për një kandidaturë të tij të mundshme në zgjedhjet presidenciale të vitit 2028.
