Manchester United ka nisur kontaktet me Didier Deschamps, duke shqyrtuar mundësinë e emërimit të trajnerit francez në rast se vendos të ndërpresë bashkëpunimin me Michael Carrick. E ardhmja e këtij të fundit mbetet e pasigurt, pavarësisht fitores së rëndësishme në Champions League ndaj Romës, që i ka dhënë pak më shumë kohë në stolin e “Djajve të Kuq”.
Sipas raportimeve të medieve angleze, drejtuesit e United kanë kontaktuar Deschamps, i cili u largua nga drejtimi i kombëtares franceze këtë verë, pas 14 vitesh në detyrë. Gjatë kësaj periudhe, ai fitoi Kupën e Botës në vitin 2018 dhe arriti finalen e Botërorit 2022.
58-vjeçari ka gjithashtu një eksperiencë të rëndësishme në futbollin e klubeve. Ai ka drejtuar Monacon, Juventusin dhe Marseille, duke fituar kampionatin francez me klubin e fundit. Me Monacon arriti deri në finalen e Champions League, ku humbi ndaj Portos së José Mourinhos. Ndërsa me Juventusin siguroi rikthimin në Serie A pas skandalit të trukimit të ndeshjeve dhe rënies në Serie B.
Deschamps kishte shfaqur interes për të marrë drejtimin e Real Madridit pas largimit nga kombëtarja franceze, por Florentino Pérez zgjodhi Mourinhon për rikthimin e tij në stolin madrilen. Sipas raportimeve nga Franca, trajneri nuk është në nxitim për të nisur një aventurë të re dhe po e shqyrton me qetësi të ardhmen.
Ndërkohë, Manchester United ka analizuar edhe alternativa të tjera. Antonio Conte, Eddie Howe dhe Julian Nagelsmann janë emrat e përmendur, por drejtuesit nuk janë bindur plotësisht nga opsionet aktualisht të disponueshme. Howe ka kryer disa verifikime paraprake për mundësinë e një oferte, ndërsa Nagelsmann është propozuar nga drejtori i rekrutimit Christopher Vivell, i cili ka punuar më parë me të në grupin Red Bull.
Në listë janë përmendur edhe Fabian Hürzeler dhe Unai Emery, por kostot e larta të kompensimit për Brighton dhe Aston Villa e bëjnë më të ndërlikuar largimin e tyre.
Për momentin, Carrick vazhdon të jetë në krye të skuadrës, por kontaktet me Deschamps tregojnë se United po shqyrton alternativa për stolin.
© SYRI.net
Real Madrid pranë transferimit të talentit anglez JJ Gabriel, ‘diamanti’ 16-vjeçar që kërkojnë gjigantët e Europës
Rafa Nadal në bordin e Real Madridit, një hap drejt presidencës? Çfarë duhet të plotësojë për të pasuar Florentino Pérez-in
Juventus fitoi mes vuajtjesh në Europa League, Spalletti shpërtheu ndaj Cabal në fundBëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: