Tragjedia në Elbasan/ Inxhinierja: Sistemi i sigurisë dështoi, zjarrfikësja është vetëm hallka e fundit

Tragjedia në Elbasan/ Inxhinierja: Sistemi i sigurisë dështoi, zjarrfikësja është vetëm hallka e fundit

09:16, 06/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

E ftuar në një lidhje Skype në emisionin “Kafe Shqeto” në SYRI TV, inxhinierja Dëshira Mëna ka analizuar shkaqet e mundshme teknike të shpërthimit në Elbasan, duke ngritur shqetësimin për mungesën e masave parandaluese dhe kontrollit të sistemeve të gazit.

 Ajo tha se sistemi i mbrojtjes nga zjarri nuk nis me mbërritjen e zjarrfikësve, por me parandalimin, monitorimin dhe identifikimin në kohë të rrezikut.

Mëna theksoi se, nga informacionet paraprake, dyshohet se shpërthimi është shkaktuar nga grumbullimi i gazit në apartament pas një rrjedhjeje, ndërsa ndezja e sobës ka provokuar shpërthimin.

Ajo nënvizoi se rasti tregon dështimin e mekanizmave të kontrollit dhe identifikimit të hershëm të rrjedhjeve, ndërsa theksoi rëndësinë e respektimit të kushteve teknike të instalimit dhe mirëmbajtjes së impianteve të gazit.

Pjesë nga intervista:

Janë çështjet më të rëndësishme, në fakt, për sa i përket analizës që i bëhet këtij rasti dhe rasteve të tjera që kemi ndeshur.

Sistemi i mbrojtjes nga zjarri, në vetvete, përfshin të gjitha sistemet të cilat ndikojnë për ta parandaluar zjarrin, për ta detektuar atë sa më herët dhe pastaj për ta shuar apo për t'u mbrojtur. Pra, nuk është se gjithçka fillon kur ka ndodhur ngjarja dhe vjen zjarrfikësja. Ai është hapi i fundit, është momenti final, që do të thotë se të gjitha masat e tjera kanë dështuar në momentin që vjen zjarrfikësja.

Unë do të ndalem kryesisht te pjesa teknike e ndërtimeve të këtyre sistemeve, të këtyre impianteve, sa të sigurta janë ato, sa të qetë duhet të jemi ne kur i përdorim ato dhe a i respektojmë kushtet teknike të instalimit të këtyre impianteve, të këtyre sistemeve.

Në rastin konkret, ngjarja e Elbasanit ka lidhje të drejtpërdrejtë me shpërthimin e gazit, jo të bombolës, nga sa lexova së fundmi. Bombola ka qenë e instaluar në katin përdhe, jashtë, me idenë që ta kemi larg, duke e parë si një element të rrezikshëm. Instalimet nga bombola deri tek apartamenti i katit të tretë të këtij përdoruesi ishin bërë dhe ai përdorte sobën me gaz. Siç duket, sistemi në një pikë të tij ka dështuar, sepse duhet të ketë pasur rrjedhje. Kjo do të dalë nga ekspertiza. Thjesht po bëj një analizë në distancë, siç bëjmë për të kuptuar situatën, por kur të dalë ekspertiza e detajuar nga zjarrfikësit, do të shohim më pas edhe shkaqet e konfirmuara.

Nga informacionet që kemi, ka pasur rrjedhje gazi në ambient dhe, në momentin që personi ka dashur të ndezë sobën, çelësi i ndezjes së sobës ka provokuar shpërthimin. Normalisht, ky shpërthim, në këto përmasa, teknikisht mund të ndodhë. Pra, nuk mund të jetë bombola 15-litërshe që e ka shkaktuar këtë lloj dëmi, por sasia e gazit brenda në ambient ka qenë e madhe. Kjo, duke qenë se gazi që ne përdorim për gatim është propan-butan, i cili në elementin e vet ka një sasi të madhe hidrogjeni, lëndë shpërthyese. Në momentin që bie në kontakt me ajrin dhe ka një shkëndijë, ai shpërthen.

Deri këtu kuptohet që sistemi ka dështuar: monitorimi, kontrolli dhe identifikimi i hershëm i rrjedhjes.

Nëse do të ishte nuhatur kjo gjë në apartament dhe nuk do të ishte ndezur soba, në këtë rast, kur e ndjen, sepse mund ta ndjesh kur era është e rëndë, duhet të bësh ventilimin e ambientit pa hapur çelësin e dritave, pa ndezur ndonjë shkrepëse, pa ndezur sobën, pa shkaktuar shkëndijë në një ambient që është i ngarkuar me gaz të lëngshëm. Në momentin që ajroset ambienti, bie niveli i gazit. Atëherë merr masa, të gjesh defektin, të mbyllësh bombolën dhe të kontrollosh linjën. Kjo do të ishte, si të thuash, rrjedha normale e veprimeve për t'u munduar të shmangnim këtë tragjedi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco