Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se lufta mes Rusisë dhe Ukrainës është pranë përfundimit, duke paralajmëruar arritjen e një marrëveshjeje të madhe paqeje, e cila sipas tij mund të përfshijë jo vetëm dy vendet në konflikt, por edhe pjesën tjetër të Europës.
Deklarata e Trump vjen pas një takimi në Shtëpinë e Bardhë me Kirill Dmitriev, të dërguarin special të presidentit rus Vladimir Putin. Kreu i Shtëpisë së Bardhë nuk dha detaje mbi bisedën, por u shpreh optimist për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje.
“Do të ketë një marrëveshje. Do të jetë një marrëveshje e madhe dhe do të përfshijë më shumë sesa Ukrainën. Mund të përfshijë edhe gjithë Europën”, deklaroi Trump para gazetarëve.
Ai e cilësoi marrëveshjen e mundshme si një zhvillim të rëndësishëm, nga i cili, sipas tij, të gjitha palët do të jenë të kënaqura.
Ndërkohë, Trump konfirmoi se kishte takuar përfaqësuesin e Moskës, por jo delegacionin ukrainas, i cili ndodhej gjithashtu në Shtëpinë e Bardhë në kuadër të takimeve diplomatike.
Në kuadër të përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit, pritet që përfaqësues të Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Ukrainës të zhvillojnë bisedime në Abu Dhabi më 10 dhe 11 nëntor.
Megjithatë, pavarësisht optimizmit të shprehur nga presidenti amerikan, deri më tani nuk është bërë publike asnjë marrëveshje konkrete dhe mbetet e paqartë se cilat do të jenë kushtet e saj.













