Kandiç: Serbia po i fsheh faktet për krimet e luftës në Kosovë, BE-ja duhet të reagojë

6 Nëntor 2026 | 09:41

Themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiç, ka akuzuar Serbinë për heshtjen dhe shtrembërimin e fakteve gjyqësore mbi krimet e luftës në Kosovë dhe gjenocidin në Srebrenicë. Në një reagim në platformën X, Kandiç ka kritikuar mënyrën se si institucionet dhe shoqëria serbe trajtojnë të kaluarën, duke theksuar se vendimet e gjykatave po zëvendësohen me të ashtuquajturën “e vërteta e popullit”.

Ajo iu referua deklaratës së ambasadorit të Bashkimit Evropian në Serbi, Andreas von Beckerath, i cili kishte paralajmëruar se glorifikimi i personave të dënuar për krime lufte bie ndesh me vlerat evropiane.

Sipas Kandiçit, përfaqësuesi i BE-së duhej të ngrinte shqetësimin edhe për praktikën e heshtjes ndaj aktgjykimeve dhe fakteve të vërtetuara nga gjykatat ndërkombëtare. Ajo ka vlerësuar se shtrembërimi i së kaluarës është veçanërisht i theksuar në rastin e gjenocidit në Srebrenicë dhe të viktimave të luftës në Kosovë. Kandiç ka theksuar se përballja me të kaluarën kërkon respektimin e vendimeve gjyqësore dhe ndërprerjen e praktikave që mohojnë ose relativizojnë krimet e dokumentuara.

Themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare ka rikujtuar se kjo organizatë posedon një bazë të gjerë të dhënash për viktimat e luftës në Kosovë, ku dokumentohet fati individual i tyre, pavarësisht përkatësisë etnike. Sipas saj, Fondi disponon dokumente gjyqësore, dëshmi të familjarëve dhe dëshmitarëve, si dhe video-incizime të dëshmive të dhëna para Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.

Ajo ka vlerësuar se ky dokumentacion mund t’i shërbejë Prokurorisë për Krime Lufte në Serbi, nëse institucioni vepron në mënyrë të pavarur dhe i mbështet hetimet në prova, e jo në udhëzime politike.

“Pavarësia e gjyqësorit, për të cilën insiston BE-ja, duhet të shtrihet edhe në ndjekjen penale të krimeve të luftës”, ka deklaruar Kandiç. Ajo i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian të ofrojë mbështetje politike dhe financiare për përfshirjen e të rinjve në hulumtimin e luftërave të viteve 1990.Ajo ka theksuar se studentët dhe të diplomuarit duhet të kenë mundësi të shqyrtojnë dokumentet, të analizojnë dëshmitë dhe të nxjerrin përfundime të pavarura për ngjarjet e së kaluarës. Sipas saj, politikat e kujtesës po përdoren për thellimin e ndarjeve kombëtare, mohimin e krimeve dhe glorifikimin e autorëve të tyre.

Kandiç ka vlerësuar se dokumentimi i pavarur dhe respektimi i fakteve gjyqësore janë të domosdoshëm për ndërtimin e një kulture të përgjegjshme të kujtesës dhe përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet vendeve të rajonit.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Vrasja e Arlinda Zekajt, Komisioni Hetimor Parlamentar pritet të miratojë sot buxhetin

Komisioni Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt pritet të miratojë sot buxhetin për zhvillimin e hetimeve parlamentare. Mbledhja...
09:22 | 06/11/2026

Hashim Thaçi: Do të dal me çdo qelizë time të pastër në fund të këtij rrugëtimi

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi përmes një postimi në “Facebook”, ka shprehur mirënjohjen e tij të thellë për mbështetjen e qytetarëve, duke u zotuar se...
18:41 | 05/11/2026

​Bixhozi ilegal, 22 persona të arrestuar në rajonin e Prizrenit

Policia e Kosovës, gjatë një operacioni si pjesë e hetimeve kundër lojërave të fatit, ka arrestuar 22 persona në Prizren, Suharekë dhe Dragash. Hetimet janë...
16:58 | 05/11/2026