Emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, zhvilloi të martën një bisedë telefonike me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, ku në fokus ishte situata e tensionuar në rajon dhe përpjekjet diplomatike për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm.

Sipas një deklarate zyrtare të Katarit, dy liderët diskutuan mbi përpjekjet ndërmjetësuese të Dohas për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Iranin, e cila synon t’i japë fund krizës rajonale. Gjatë bisedës, Emiri i Katarit theksoi rëndësinë e frenimit të tensioneve dhe shmangies së një përshkallëzimi të mëtejshëm të situatës. Ai nënvizoi gjithashtu domosdoshmërinë e garantimit të lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, një korridor jetik për transportin ndërkombëtar të naftës dhe gazit.

Një tjetër çështje e rëndësishme e diskutimit ishte siguria e furnizimeve me energji, në një kohë kur zhvillimet në rajon po ndikojnë në stabilitetin e tyre. Telefonata mes dy liderëve vjen në kuadër të përpjekjeve diplomatike të Katarit për të ndërmjetësuar një marrëveshje me Iranin dhe për të ulur tensionet në rajon.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: