Dy persona, përfshirë të paktën një të mitur, kanë humbur jetën dhe 16 të tjerë janë plagosur në një aksident të rëndë me autobus në rajonin Ain të Francës. Tre prej të plagosurve ndodhen në gjendje kritike.

Aksidenti ndodhi të premten në mëngjes, rreth orës 07:30, në rrugën provinciale D22, në zonën e Lent, kur autobusi që kryente kryesisht transportin e nxënësve doli nga rruga dhe përfundoi në një kanal, duke u përplasur me një pemë.

Sipas kryebashkiakut Yves Christin, autobusi po udhëtonte në linjën mes Lyonit dhe Bourg-en-Bresse, ndërsa rrethanat e plota të aksidentit mbeten ende të paqarta. Gjendja e drejtuesit të mjetit nuk është bërë e ditur.

Në vendngjarje u mobilizuan ekipe të shumta shpëtimi, ndërsa katër helikopterë u përdorën për transportimin e të plagosurve drejt spitaleve. Ministri francez i Transportit, Philippe Tabarot, ndërpreu pjesëmarrjen në inaugurimin e një treni të ri në Paris për t’u nisur drejt vendit të aksidentit dhe për t’u takuar me familjarët e viktimave.

Prefekti ka aktivizuar Qendrën Operative të Departamentit (COD), me qëllim koordinimin e operacionit dhe menaxhimin e situatës. Ndërkohë, një bashki fqinje ka vënë në dispozicion ambientet e saj për të pritur dhe mbështetur familjarët e pasagjerëve. Ministri francez i Transportit, Philippe Tabarot, dhe prefekti pritet të mbërrijnë në zonën e aksidentit. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin zonën, ndërsa në rrugët përreth janë vendosur kufizime dhe devijime të trafikut për t’u krijuar mundësi ekipeve të shpëtimit të ndërhyjnë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: