
Juventusi mori një fitore shumë të rëndësishme në transfertën ndaj AZ Alkmaar, duke hedhur një hap të madh drejt kualifikimit në fazën e 1/8-ve të Europa League. Megjithatë, suksesi i bardhezinjve u shoqërua me tensione në minutat e fundit, ku protagonist u bë trajneri Luciano Spalletti.
Skuadra italiane triumfoi falë golave të Koopmeiners dhe Kolo Muani, duke ndërprerë edhe serinë prej 17 ndeshjesh pa humbje në shtëpi të ekipit holandez në kompeticionet europiane. Por, pavarësisht avantazhit të dyfishtë dhe kontrollit të lojës për pjesën më të madhe të takimit, Juventusi rrezikoi ta komplikonte gjithçka në fund.
Fillimisht, një gabim i Kelly në gjysmëfushën e Juventusit i dha mundësinë kundërshtarit të niste një kundërsulm, i cili u konkretizua nga Meerdink për golin e 2-1. Pak minuta më vonë, Juan Cabal përsëriti pasigurinë në repartin defensiv, duke humbur pozicionin dhe markimin. AZ Alkmaar arriti të shënonte sërish, por goli u anulua për pozicion jashtë loje.
Kjo situatë shkaktoi zemërimin e Spallettit, i cili iu drejtua drejtpërdrejt mbrojtësit kolumbian. Kamerat kapën momentin kur trajneri, me gjeste të forta dhe i nervozuar, i tha: “Do të të jap një grusht, e kuptove? E kuptove?”
Cabal dëgjoi në heshtje qortimet e trajnerit përpara se të rikthehej në pozicion. Një skenë që tregon qartë pakënaqësinë e Spallettit me mungesën e përqendrimit, pavarësisht fitores së rëndësishme europiane.
