Granata dore në lokalet e Athinës, zbardhet aktiviteti i grupit kriminal me në krye shqiptarin në burg

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 06.11.2026, 10:55

Pamje të sulmeve me granata dore ndaj dy lokaleve në qendër të Athinës janë publikuar nga media greke Protothema, duke hedhur dritë mbi aktivitetin e një organizate kriminale, anëtarët e së cilës dyshohet se merreshin me gjobëvënie, zhvatje dhe kërcënime.

Sipas hetimeve, sulmet me eksploziv shërbenin si formë hakmarrjeje ndaj personave që refuzonin të paguanin, por edhe si mesazh frikësues për të tjerët që nuk pranonin kërkesat e grupit.

Në krye të organizatës dyshohet se qëndronte një 49-vjeçar shqiptar, i dënuar më parë për vepra të rënda penale, i cili aktualisht vuan dënimin në burgun e Trikalas. Pavarësisht izolimit pas hekurave, ai dyshohet se vazhdonte të drejtonte dhe koordinonte aktivitetin e grupit.

Rrethi i tij i bashkëpunëtorëve përfshinte një shtetas rom të burgosur në Malandrino, dy shtetas egjiptianë që ndodheshin në burgjet e Avlonës dhe Malandrinos, si dhe pesë të rinj të tjerë të arrestuar nga autoritetet greke. Sipas raportimit të noa.al, të dyshuarit janë të moshave 17 deri në 21 vjeç.

Sulmet ndaj lokaleve në Athinë

Pamjet e publikuara tregojnë dy sulme të kryera në fillim të shtatorit, kur pjesëtarët e dyshuar të grupit hodhën granata dore në dy lokale në qendër të kryeqytetit grek.

Një tjetër episod është regjistruar në fillim të tetorit, kur autorët iu afruan njërit prej këtyre bizneseve, hodhën një granatë dore në ambientin ku ndodheshin klientët dhe u larguan menjëherë nga vendi i ngjarjes.

Ngjarja mund të kishte përfunduar me pasoja të rënda, por fatmirësisht granata nuk shpërtheu.

Shqiptari dyshohet se drejtonte grupin nga qelia

Nga hetimet e autoriteteve greke ka rezultuar se bëhej fjalë për një organizatë me strukturë të mirëpërcaktuar, funksionim të vazhdueshëm dhe ndarje të qartë të detyrave mes anëtarëve.

Edhe pse ndodhej në burg, 49-vjeçari shqiptar dyshohet se kishte rolin kryesor në marrjen e vendimeve. Ai përcaktonte objektivat, shqyrtonte informacionet e siguruara nga bashkëpunëtorët, jepte udhëzimet për veprimet e radhës dhe ndiqte zbatimin e tyre.

Ndërkohë, pjesëtarët që ndodheshin jashtë burgut merreshin me identifikimin dhe vëzhgimin e objektivave, kontrollin e banesave dhe ambienteve të ndryshme, mbledhjen e të dhënave për personat e përfshirë, si dhe dokumentimin me fotografi të zonave ku planifikoheshin veprimet.

Detyrat e tyre përfshinin gjithashtu sigurimin e mjeteve të nevojshme për sulmet, ekzekutimin e tyre dhe largimin nga vendngjarja.

Një rol të veçantë në funksionimin e organizatës kishin edhe bashkëpunëtorët e drejtuesit që ndodheshin në institucione të tjera penitenciare. Sipas hetuesve, ata shërbenin si ndërmjetës komunikimi, duke përcjellë porositë dhe udhëzimet e drejtuesit tek anëtarët që vepronin në liri, si dhe duke ndihmuar në koordinimin e veprimeve.

Kontrolle në katër lokale, 27 persona u shoqëruan

Në kuadër të hetimeve, Departamenti për Luftën kundër Gjobëvënies, në bashkëpunim me strukturat e Parandalimit dhe Ndërmjetësimit dhe grupet operacionale të Drejtorisë për Luftën kundër Krimit të Organizuar (DAOE), zhvilloi kontrolle në katër lokale në qendër të Athinës.

Gjatë operacionit, policia verifikoi 50 persona, ndërsa 27 prej tyre u shoqëruan në komisariat për veprime të mëtejshme hetimore.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit