Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Eric Wendt, ka bërë publike tri fushat kryesore ku do të përqendrohet bashkëpunimi mes dy vendeve gjatë mandatit të tij në Tiranë.
Në mesazhin e tij me rastin e nisjes së detyrës, Wendt renditi forcimin e kapaciteteve mbrojtëse, rritjen e tregtisë dhe investimeve me përfitime të ndërsjella, si dhe bashkëpunimin në luftën kundër krimit ndërkombëtar dhe mbrojtjen e interesave të përbashkëta.
Ambasadori bëri të ditur se gjatë muajve të ardhshëm Ambasada Amerikane do të zhvillojë një vlerësim për të përcaktuar drejtimet e ardhshme të bashkëpunimit. Në këtë kuadër, ai do të vizitojë disa qytete dhe zona të Shqipërisë, si dhe do të zhvillojë takime me drejtues politikë, përfaqësues të qeverisë, drejtues ushtarakë, biznesmenë dhe përfaqësues të sistemit të drejtësisë.
Wendt shprehu mirënjohjen për Presidentin Donald Trump dhe Sekretarin e Shtetit Marco Rubio për besimin e dhënë, ndërsa falënderoi shqiptarët për mikpritjen. Ai kujtoi edhe përvojën e mëparshme me Forcat Speciale Shqiptare dhe udhëtimet nëpër vend, duke vlerësuar mikpritjen, punën dhe krenarinë e popullit shqiptar.
“E para është të bëhemi më të fortë. Ne bëhemi më të fortë duke ndërtuar kapacitete reale mbrojtëse dhe duke përmbushur pjesën tonë të drejtë të përgjegjësive si aleatë”, deklaroi ambasadori, duke iu referuar prioritetit të parë.
Për ekonominë, ai theksoi se synimi është të gjenden mënyra për të zgjeruar tregtinë, investimet dhe mundësitë ekonomike, në mënyrë që të përfitojnë si amerikanët, ashtu edhe shqiptarët.
Prioriteti i tretë, sipas Wendtit, lidhet me sigurinë dhe luftën kundër krimit ndërkombëtar, ku të dy vendet do të bashkëpunojnë për mbrojtjen e interesave të tyre të përbashkëta.
Në përfundim të mesazhit, ambasadori theksoi marrëdhëniet historike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, duke shprehur bindjen se bashkëpunimi mes dy vendeve mund të sjellë rezultate konkrete.
“Jam vërtet i nderuar dhe i bekuar që kam mundësinë të shërbej në Shqipëri si ambasador i Shteteve të Bashkuara”, u shpreh Wendt. Ai e mbylli mesazhin me thirrjen: “Ecim së bashku. Shkojmë së bashku.”




