Një goditje nga rrufeja gjatë një turneu golfi për të rinj i ka marrë jetën 15-vjeçares Aeyavarin Pradubyart. Tragjedia ndodhi në Tajlandë. Një ndihmës lojtari (caddie) 31-vjeçar i quajtur Saithan, mbeti gjithashtu i plagosur, por tashmë ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja ndodhi pasditen e 1 nëntorit, kur adoleshentja u gjet e shtrirë në tokë pranë gropës së 11-të. Pasi mori ndihmën e parë në fushë dhe iu nënshtrua procedurave të reanimacionit pas një ndalimi të zgjatur të zemrës, Aeya u dërgua në spital në gjendje kritike.
Mjekët bënë çmos për ta shpëtuar gjatë gjithë natës, por të nesërmen, përpjekjet e tyre rezultuan të pasuksesshme. Familjarët e adoleshentes akuzuan organizatorët e turneut, që nuk e ndërprenë atë kur nisi shiu dhe retë e zeza mbuluan fushën. Sirena e alarmit u aktivizua vetëm kur stuhia kishte arritur kulmin e saj.
“Në atë moment, – tregon nëna, – ndodhi tragjedia. Shokët e skuadrës së vajzës po ktheheshin, por Aeya nuk ishte mes tyre. Pak minuta më vonë, në ambientet e klubit u përhap lajmi se një lojtare e re golfi ishte goditur nga rrufeja. Nuk kishte asnjë ambulancë në fushë”.
Sipas familjes, vajza kishte pësuar djegie në anën e djathtë të kokës, si dhe në krahë e këmbë. Madje, edhe kapeleja e saj ishte djegur. Komiteti i turneut ka deklaruar se është i gatshëm të bashkëpunojë në një hetim të plotë për të zbardhur ngjarjen. Aeyavarin Pradubyart konsiderohej një lojtare premtuese.
Vdekja e Aeya ka rikthyer në vëmendje një nga rreziqet më të frikshme në golf: stuhitë me vetëtima. Fushat e golfit në mbarë botën kanë protokolle specifike për pezullimin e lojës sa herë që diktohet aktivitet elektrik. Megjithatë, kjo tragjedi në Tajlandë ka rihapur debatin se kur dhe si duhet të zbatohen këto protokolle.







