Skandali për pacientët me kancer, FSDKSH njofton mjekët se kanë mbaruar fondet
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka ngritur alarmin për situatën në Spitalin Onkologjik në QSUT, duke denoncuar mungesën e medikamenteve që përdoren në trajtimin e pacientëve me sëmundje tumorale. Sipas tij, ndërsa qeveria promovon investimet dhe zhvillimet në sistemin shëndetësor, pacientët përballen me mungesë barnash jetike dhe pasiguri për vijimin e terapive.
Në reagimin e tij publik, Salianji sjell si shembull mungesën e PHESGO-s, një medikament i përdorur në trajtimin e kancerit të gjirit HER2 pozitiv. Ai pretendon se në kushtet e mungesës së këtij preparati, pacientëve po u ofrohet HERCEPTIN, një terapi tjetër që nuk ka të njëjtin kombinim të përbërësve aktivë.
Sipas denoncimit të ish-deputetit demokrat, problemi lidhet me përfundimin e kontratës së furnizimit me PHESGO, e cila nuk është rinovuar në kohë, ndërsa kontrata e re ende nuk është firmosur nga ministrja përgjegjëse. Salianji paralajmëron se edhe në rast të nënshkrimit të menjëhershëm, furnizimi me medikamentin mund të kërkojë të paktën 60 ditë, duke e zgjatur pritjen për pacientët që kanë nevojë për trajtim.
FSDKSH njofton mjekët për ezaurimin e fondeve, rrezikohen trajtimet
Një tjetër shqetësim i ngritur nga Salianji lidhet me një njoftim që, sipas tij, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) u ka përcjellë mjekëve, duke i informuar se fondet në dispozicion janë ezauruar dhe se nuk ka më buxhet për të mbuluar trajtimet deri në fund të vitit.
Sipas ish-deputetit, kjo situatë mund të sjellë shtyrjen e trajtimeve për pacientët në disa shërbime mjekësore, përfshirë onkologjinë, neurologjinë, imunologjinë, kardiologjinë dhe okulistikën.
Ai e konsideron këtë një problem serioz për funksionimin e sistemit shëndetësor, pasi mjekët gjenden përballë një dileme të papranueshme: të përmbushin detyrimin profesional ndaj pacientëve apo të zbatojnë kufizimet financiare dhe administrative të institucioneve.
Në reagimin e tij, Salianji ka drejtuar akuza ndaj ministres së Shëndetësisë, Evis Sala, duke kërkuar shpjegime për mungesën e barnave, mosrinovimin e kontratave dhe përfundimin e fondeve për trajtimet mjekësore. Ai ngre gjithashtu pikëpyetje mbi mënyrën se si janë administruar fondet publike dhe nëse interesat korruptive kanë ndikuar në vendimmarrjen për furnizimin me medikamente.
“Paratë kanë mbaruar, por sëmundjet jo”
Duke e cilësuar situatën si një dështim të rëndë të menaxhimit të shëndetësisë, ish-deputeti ka vënë përballë propagandën qeveritare me realitetin që, sipas tij, po përjetojnë pacientët në spitalet publike.
Ai ka theksuar se nuk mund t’u kërkohet personave që luftojnë me kancerin të presin 60 ditë për medikamentet e nevojshme, ndërsa pacientëve të tjerë t’u shtyhen trajtimet deri në janar për shkak të mungesës së buxhetit.
“Pra, paratë kanë mbaruar, por sëmundjet jo!”, shkruan Salianji, duke kërkuar përgjegjësi institucionale për situatën e denoncuar.
Në fund të reagimit, ai ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke e lidhur krizën e pretenduar në furnizimin me barna dhe financimin e shërbimeve shëndetësore me përgjegjësinë politike të qeverisë.
Reagimi i Salianjit:
Qeveria i lufton me propogandë tumoret, mungesë barnash për pacientët!
Është kriminale se si është gjendja e shëndetësisë shqiptare sot!
Qeveria bën propagandë me Institutin e Tumoreve, ndërsa në Spitalin Onkologjik në QSUT mjekët dhe pacientët ankohen se mungojne shume barna onkologjike. PHESGO, eshte nje shembull konkret ,një medikament i rëndësishëm në trajtimin e kancerit të gjirit HER2 pozitiv.
Pacientëve u ofrohet HERCEPTIN, një terapi tjetër, që nuk përmban të njëjtin kombinim të përbërësve aktivë. Jo sepse mjekët kanë zgjedhur alternativën më të përshtatshme për ta, por sepse PHESGO mungon!
Pse mungon? Sepse kontrata e furnizimit ka përfunduar, nuk është rinovuar në kohë dhe ministrja nuk e ka firmosur kontratën e re. Edhe nëse firmoset sot, furnizimi kërkon të paktën 60 ditë! Vuajtjet njerëzore janë hiçgje perpara mundesise per korrupsion që shikon qeveria ne cdo sektor.
Kjo ishte dhurata e Tetorit Rozë për gratë që luftojnë me kancerin!
Dhe ndërkohë që pacientët presin barnat, vjen një tjetër urdhër nga realiteti i këtij sistemi: FSDKSH u telefonon mjekëve dhe u komunikon se fondet kanë mbaruar, se nuk ka më buxhet deri në fund të vitit dhe se trajtimet duhet të shtyhen!
Në onkologji, neurologji, imunologji, kardiologji, okulistikë dhe shërbime të tjera.
Pra, paratë kanë mbaruar, por sëmundjet jo!
Mjekët janë vendosur në një pozitë të papranueshme: të zgjedhin mes detyrimit profesional ndaj pacientit dhe presionit financiar e administrativ të institucioneve shtetërore.
Ky është një problem që prek drejtpërdrejt jetën dhe të drejtën e qytetarëve për t’u trajtuar.
Ministrja Spahiu duhet të përgjigjet!
Ku janë barnat? Ku janë paratë? Kush i merr përgjegjësitë për kontratat e pambyllura dhe fondet e ezauruara? A po prevalojnë interesat mafioze mbi shëndetin e qytetarëve?
Nuk mund të kesh para për propagandë, fasada dhe inaugurime, ndërsa nuk ke para për ilaçet e pacientëve!
Nuk mund t’u thuash njerëzve që luftojnë me kancerin të presin 60 ditë. Nuk mund t’u thuash pacientëve të tjerë të presin deri në janar, sepse buxheti i shtetit ka mbaruar!
Rama jep dorëheqjen!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



