Kaos në qiellin e Europës, devijohen katër fluturime/ Si qëndron e vërteta rreth alarmeve për bombë
Presidenti amerikan Donald Trump ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv për shpalljen e Zyrës Ovale në Shtëpinë e Bardhë monument kombëtar, me qëllim mbrojtjen e saj nga ndryshimet strukturore që mund të ndërmerren nga presidentët e ardhshëm.
Sipas asaj që raporton BBC, urdhri përcakton se zyra zyrtare e presidentit amerikan, të cilën Trump e ka rinovuar gjatë mandatit të tij, do të gëzojë statusin e monumentit kombëtar.
“Po e shpallim monument kombëtar dhe askush nuk do të lejohet ta prekë, ta shkatërrojë apo ta shembë për të ndërtuar diçka me një formë paksa të ndryshme”, deklaroi Trump para gazetarëve të enjten, duke kritikuar personat që mund të ndërmarrin ndryshime të tilla.
Megjithatë, urdhri nuk ua ndalon presidentëve të ardhshëm ndryshimin e dekorit të Zyrës Ovale.
Dokumenti përcakton se presidenti ruan të drejtën për të ndryshuar arredimin, për të përzgjedhur mobiliet dhe për të kryer ndërhyrje të zakonshme funksionale apo të sigurisë, për sa kohë ato nuk dëmtojnë ndjeshëm strukturën historike ose karakterin arkitekturor të monumentit.
Vendimi vjen disa muaj pasi Trump urdhëroi shembjen e plotë të Krahut Lindor të Shtëpisë së Bardhë, në kuadër të një projekti që është përballur me kundërshtime ligjore.
Projekti, i cili nuk mori miratimin e Kongresit amerikan, vijon të zbatohet dhe parashikon ndërtimin e një salle të re për organizimin e pritjeve dhe ceremonive.
“Ne e pëlqejmë Zyrën Ovale dhe ajo është një simbol, ashtu si vetë Shtëpia e Bardhë. Është simbol i vendit tonë dhe i madhështisë së tij”, deklaroi Trump.
Presidenti shtoi se udhëheqësit botërorë që kanë vizituar Shtëpinë e Bardhë gjatë muajve të fundit kanë vlerësuar ndryshimet dekorative që ai ka realizuar në këtë ambient.
Sipas Trump, Shtëpia e Bardhë dhe Zyra Ovale kishin nevojë për riparime përpara ndërhyrjeve të tij. Ai e përshkroi gjendjen e mëparshme si shumë të dëmtuar, duke përmendur dritare të thyera dhe mure të Çara.
Megjithatë, shumë prej ndryshimeve më të dukshme kanë qenë estetike, përfshirë vendosjen e një pllake të madhe të artë me mbishkrimin “Oval Office” jashtë zyrës, shtrimin me pllaka të Kopshtit të Trëndafilave dhe ndërtimin e një platforme të re për uljen e helikopterëve.
Trump deklaroi se urdhri do ta bënte të pamundur që dikush ta shkatërronte ndonjëherë këtë hapësirë.
Ndërkohë, mbetet e paqartë nëse vendimi mund të shfuqizohet nga një president i ardhshëm ose të kundërshtohet me sukses në rrugë ligjore.
Territori i Shtëpisë së Bardhë gëzon tashmë statusin e Monumentit Historik Kombëtar, i cili synon ta mbrojë ndërtesën nga ndryshimet e papritura.
Dokumenti pranon se Shtëpia e Bardhë gëzon mbrojtje ligjore, por thekson se Zyra Ovale meriton njohje dhe mbrojtje të veçantë si një strukturë historike me rëndësi kombëtare.
Top Channel