Partia Demokratike Evropiane ka shprehur shqetësim për njoftimet mbi dhunën, kërcënimet dhe pengesat ndaj gazetarëve që raportojnë për protestat në Shqipëri. Sekretari i përgjithshëm i saj, Sandro Gozi, kërkoi hetime të menjëhershme, të paanshme e të pavarura, si dhe vënien para përgjegjësisë të atyre që kanë ushtruar dhunë ndaj punonjësve të medias.
Partia iu referua listës së incidenteve të publikuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) dhe një investigimi të BIRN, të publikuar më 3 nëntor. Sipas investigimit, që prej 13 tetorit janë raportuar rreth 50 raste dhune ose pengimi të gazetarëve; 41 prej tyre u atribuohen efektivëve të Policisë së Shtetit. Organizata “Reporterët pa Kufij” ka dokumentuar veçmas 28 raste dhune, intimidimi apo pengimi të punës së medias gjatë periudhës 13-19 tetor. Këto raste kanë prekur të paktën 23 profesionistë të medias, përfshirë të paktën 12 që janë sulmuar fizikisht.
Të lidhura
None found
Mes rasteve të përshkruara nga BIRN është ai i gazetares së Klan News, Glidona Daci, e cila tha se u spërkat në fytyrë ndërsa raportonte drejtpërdrejt. Redaktori i Syri, Julian Hoxhaj, deklaroi se rreth një duzinë efektivësh policie e goditën me shkelma dhe e tërhoqën zvarrë. Drejtuesi i Citizens.al, Lorin Kadiu, tha se një plumb gome i kaloi pranë fytyrës, ndërsa autoboti i ujit i dëmtoi pajisjet e punës.
Gozi theksoi se dëshmitë e gazetarëve që thonë se janë goditur, shtyrë, spërkatur ose penguar në detyrë duhen trajtuar seriozisht. Sipas tij, gazetarët duhet të mund të raportojnë lirshëm dhe pa rrezik, sidomos kur dokumentojnë veprimet e autoriteteve. Ai kërkoi ruajtjen e të gjitha pamjeve filmike dhe përcaktimin e përgjegjësive. Për hetimin e dhunës kanë bërë thirrje edhe Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve dhe organizatat partnere. Pas incidenteve të 13 tetorit, tre punonjës të medias patën nevojë për trajtim spitalor. Gjatë monitorimit të veçantë të protestës së 20 tetorit, edhe Avokati i Popullit ngriti shqetësime për pretendimet mbi dhunën policore dhe kërkoi ruajtjen e provave e përcaktimin e përgjegjësive.
Duke iu drejtuar kryeministrit Edi Rama, Gozi i kërkoi të mos i intimidojë apo diskreditojë mediat për mënyrën si pasqyrojnë ngjarjet. Ai tha se dhuna ndaj gazetarëve në detyrë, e shoqëruar me sulme të kryeministrit ndaj organizatave mediatike, e largon Shqipërinë nga rruga evropiane që synon të ndjekë. Sipas Gozit, liria e shtypit, llogaridhënia dhe shteti i së drejtës duhet të zbatohen në praktikë, jo vetëm të premtohen gjatë procesit të anëtarësimit në BE. Partia Demokratike Evropiane u bëri thirrje autoriteteve shqiptare të garantojnë sigurinë e gazetarëve në protestat publike dhe të sigurojnë hetime të paanshme e të pavarura për abuzimet e pretenduara.








