Friday / November 6 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Menaxhim Teknologji

Më shumë biznese me ekipe të vogla, si po e ndryshon AI ekonominë e kompanive; Rasti i Shqipërisë

Share Share Icon

Për një kompani të re, rritja zakonisht nënkupton më shumë punonjës, shpenzime më të larta dhe nevojë për financim shtesë. Inteligjenca artificiale po krijon mundësinë që ky raport të ndryshojë. Një ekip i vogël mund të zhvillojë më shumë produkte, të shërbejë më shumë klientë dhe të hyjë në tregje të reja, përpara se të zgjerojë ndjeshëm stafin.

Kjo ishte një nga idetë qendrore të prezantimit të Todd Rowe në konferencën AllWeb 2026, të zhvilluar më 6 nëntor në Tiranë. Rowe, i prezantuar nga organizatorët si ish-drejtues në Google, Apple, Adobe dhe SAP dhe anëtar bordesh kompanish, e trajtoi inteligjencën artificiale përmes ndikimit të saj te produktiviteti, shpejtësia e zhvillimit dhe përdorimi i kapitalit.

“Përtej shpejtësisë, AI ndryshon rrënjësisht sasinë e punës që mund të prodhojë një ekip i vogël”- e nis ai diskutimin.

Për bizneset, ky ndryshim ka një domethënie të drejtpërdrejtë ekonomike. Nëse të ardhurat dhe kapaciteti i shërbimit mund të rriten më shpejt se shpenzimet operative, kompania ka mundësi të përdorë më me efikasitet fondet që zotëron. Megjithatë, përfitimi varet nga mënyra se si teknologjia integrohet në punë dhe nga rezultatet që ajo arrin të prodhojë.

Nga përdorimi i një mjeti te ndryshimi i mënyrës së punës

Në prezantim, Rowe paraqiti një rrugëtim me tri faza: përdorimin e mjeteve të AI, transformimin e proceseve dhe, më pas, koordinimin e punës përmes agjentëve të inteligjencës artificiale.

Kjo ndarje mbështetet edhe në analizën e Boston Consulting Group, të cituar në slajde. Sipas BCG, shumë organizata teknologjike ndodhen ende në fazën kur punonjësit përdorin mjete të veçanta, ndërsa një grup më i vogël po ridizenjon proceset. Në fazën më të avancuar, agjentët marrin përsipër kryerjen e detyrave të ndërlidhura, me njerëzit që përcaktojnë drejtimin dhe ushtrojnë mbikëqyrjen.

Dallimi është i rëndësishëm. Një punonjës që përdor AI për të përgatitur një dokument mund të kursejë kohë në një detyrë të caktuar. Ndërsa një kompani që lidh disa hapa të punës, nga përpunimi i informacionit te përgatitja dhe kontrolli i një rezultati, mund të ndryshojë kapacitetin e një departamenti të tërë.

Në këtë model, Rowe propozonte kalimin drejt ekipeve të përziera, ku punonjësit bashkëpunojnë me agjentë digjitalë. Sipas prezantimit, aftësitë njerëzore duhet të përqendrohen më shumë te gjykimi, vendimmarrja dhe ndërtimi i marrëdhënieve, ndërsa teknologjia merr përsipër një pjesë të ekzekutimit.

Kjo e zhvendos edhe sfidën e drejtimit: kompanitë duhet të përcaktojnë cilat detyra mund të delegohen, kush kontrollon cilësinë dhe si matet përfitimi pas kostove të teknologjisë dhe mbikëqyrjes.

Rasti shqiptar i Bliss

Për të ilustruar ndryshimin e modelit të biznesit, Rowe solli shembullin e Bliss, të cilën e prezantoi si një startup shqiptar të shëndetit mendor që ndërthur terapistët online me teknologjinë e “binjakëve digjitalë”.

Sipas rastit të paraqitur, kompania e kishte zgjeruar disponueshmërinë e mbështetjes nga shërbimi me terapistë gjatë një pjese të ditës te një komponent digjital i aksesueshëm 24 orë. Gjithashtu kalimin nga shërbimet për individët drejt licencimit të teknologjisë për biznese të tjera të terapisë, si dhe zgjerimin nga Shqipëria drejt vendeve nordike, Britanisë dhe SHBA-së.

Këto janë zhvillime të raportuara në prezantimin e Rowe. Faqja e vetë Bliss konfirmon ndërthurjen e terapisë online me një komponent AI Digital Twin, ndërsa platforma e saj e bisedës e përshkruan këtë të fundit si mbështetje plotësuese, jo si zëvendësim të kujdesit profesional të shëndetit.

Nga pikëpamja ekonomike, shembulli ilustron mundësinë për të krijuar një burim të dytë të ardhurash. Krahas shërbimit të drejtpërdrejtë për klientin, një kompani mund t’ua ofrojë teknologjinë edhe profesionistëve apo bizneseve të tjera. Kështu, rritja nuk mbështetet vetëm te shtimi i orëve të shërbimit njerëzor.

Çfarë mund të fitojë Ballkani

Rowe e lidhi këtë zhvillim me mundësitë e kompanive teknologjike në Ballkan. Në prezantimin e tij, ai renditi si avantazhe talentin në shkencë dhe teknologji, njohjen e gjuhëve të huaja, afërsinë kulturore me tregjet europiane dhe kostot konkurruese.

Një element tjetër ishte madhësia e vogël e tregjeve vendase. Sipas argumentit të tij, kjo i shtyn startup-et e rajonit të mendojnë për klientë ndërkombëtarë që në fillim. Produkti, gjuha dhe modeli i shitjes duhet të ndërtohen për një treg më të gjerë se vendi i origjinës.

Ai evidentoi edhe kalimin nga ofrimi i shërbimeve për kompani të huaja drejt krijimit të produkteve të veta. Përvoja e fituar në zhvillimin e programeve dhe në shërbimet teknologjike mund të shërbejë si bazë për sipërmarrje që zotërojnë teknologjinë dhe marrëdhënien me klientin.

Për Shqipërinë, ngre pyetjen se sa mund të shndërrohet përvoja e punës për tregjet e huaja në produkte që shiten nga kompani shqiptare? AI mund të ulë disa pengesa në zhvillim dhe operim, por dalja në treg kërkon edhe njohje të klientit, financim dhe aftësi shitjeje.

Produktiviteti duhet të shfaqet në bilanc

Në përmbledhjen e prezantimit, Rowe e lidhte ndikimin e AI me tri elemente që ushqejnë njëri-tjetrin: krijimtarinë, shpejtësinë dhe produktivitetin.

“Prodhimi më i lartë për person u lejon ekipeve të mbeten të vogla për më gjatë dhe përmirëson efikasitetin e kapitalit, pa ngadalësuar përparimin”, – tha ai.

Por përhapja e përdorimit të AI nuk do të thotë automatikisht kthim financiar. Anketa globale e McKinsey për vitin 2025 tregonte se 88% e të anketuarve raportonin përdorim të rregullt të AI në të paktën një funksion të organizatës, ndërsa vetëm 39% raportonin ndikim te fitimi para interesave dhe tatimeve në nivel kompanie. Shumica mbeteshin ende në fazën e eksperimentimit ose të projekteve pilot.

Pikërisht këtu do të matet edhe vlera për bizneset shqiptare, sa ulet kostoja për një shërbim, sa shkurtohet koha për të nxjerrë një produkt dhe sa klientë shtesë mund të përballojë i njëjti ekip.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Kolegu im nuk i pëlqente email-et e shkruara me IA, ndaj më ngriti një kurth

Nga Christoph Trattner Një koleg dhe mik i ngushtë vendosi të më ngrinte një kurth, pasi dyshonte se po përdorja inteligjencën artificiale për t'iu...

1 day më parë 3 Min Lexim

Fituesi i çmimit Goncourt në Francë pranon se përdori IA për të shkruar romanin

Një debat i ri ka shpërthyer në botën letrare franceze, pasi shkrimtari Philippe Jaenada, fitues i çmimit prestigjioz Goncourt 2026, pranoi se kish...

2 days më parë 3 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!